INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Fondet ‘sekrete’ greke, Idrizi: Turp për ju o të shitur! Të publikohen emrat e medieve përfituese!

Fondet ‘sekrete’ greke, Idrizi: Turp për ju o të shitur! Të publikohen emrat e medieve përfituese!

Publikuar më: 11:30 20-10-2018

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi i ka kërkuar sot Prokurorisë që të zbardh të vërtetën lidhur me fondet “sekrete” greke që janë financuar në Shqipëri për të ndikuar në opinionin publik. Idrizi i bëri thirrje Presidentit të Republikës që të kërkojë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare me anë të cilit të zbulojë të vërtetën e përdorimin e parave të ‘zeza’ greke në Shqipëri. Kreu i PDIU-së, e ka quajtur si mjaft shqetësuese që Greqia ka dhënë vetëm në një muaj 1 milion euro. Ndaj ai kërkoi që të zbulohet sa janë shifrat reale dhe kush janë përfituesit e këtyre fondeve.

Fjala e Shpëtim Idrizit

Sot skenari i blerjes së një pjese të medieve dhe opinionistëve nga ana e shtetit grek po zbardhet nga vetë mediet greke.
Ajo që ne lajmëruam disa muaj më parë po del para syve të shqiptarëve. 1 milion euro fonde të zeza vetëm për muajin e fundit, me të cilat shteti fqinj ka blerë media e portale shqiptare duke i paraqitur tezat progreke si mendime të paanshme.
Qëllimi i këtyre fondeve ishte të vazhdojë të dëmtojë moralisht çështjet tona kombëtare, të manipulojë marrëveshjen e detit, të varrosë çështjen Çame e të vazhdojë diskriminimin ndaj shqiptarëve të çamërisë.
Tani besoj se është e qartë që kemi thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën kur ju paralajmëruam për aktet e dënueshme, për blerjen e një pjese të mediave shqiptare, e ku disa individë gjoja të paanshëm vazhdonin të mbillnin urrejtje e armiqësi për shqiptarët e Çamërisë.
Ishim të qartë kur ju shpjeguam se si në zgjedhjet e fundit ekzekutoheshin mandatet e PDIU-së, që në Parlamentin e Shqipërisë të mungonte faktori politik Çam, megjithatë u votuam nga 76 mijë Shqiptarë, me një qëllim të vetëm: “Çamëria mos të ekzistojë”.

Sot Athina I ka duart fort brenda në politikën shqiptare. Kur kemi folur për idiotët e dobishëm të Athinës, e kishim fjalën për ata të shitur që me pagesë apo pa pagesë janë bërë vasalë të Athinës dhe kanë frikë për pushtetin e tyre.
Sa e sa herë Athina zyrtare ka ndërhyrë në çështjet e brendshme të Shqipërisë dhe na ka kërcënuar në rrugën tonë drejt BE-së, asnjë nga Qeveritarët tanë nuk flet e një pjesë e medieve hesht. Sa e sa gazetarë e media kanë stigmatizuar me racizëm komunitetin Çam jo në Kohën e Komunizmit por sot. Kur ne rrihemi, vidhemi, stigmatizohemi se kërkojmë të drejtën tonë, një pjesë e medieve tallet e i shërben me zell relativizimit të Çështjes Çame.
Ne ngremë zërin për marrëveshjen e toponimeve ku 700 pleq Çam detyrohen të ndërrojnë vendlindjet, prapë heshtje … Ne ngremë zërin për ligjin e minoriteteve ku Shqipëria u bë me 9 minoritete e zonat minoritare greke zgjerohen nga Finiqi e Dropulli, në Himarë e kudo prapë heshtje. Në ngremë zërin kur ndërtohen Varrezat e ushtarëve grekë për turpin tonë, e asnjë s’flet, se është humane thonë e shkruajnë. Po një varrezë për mijëra Shqiptarë të Çamërisë nuk është Humane?

Kur ne ngremë zërin e alarmin për marrëveshjen e Detit dhe Greqia deklaron që do zgjerohemi nga 6-12 milje dhe Presidenti deklaron që pa bërë funksionale Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të vazhdojmë me këtë marrëveshje, e prapë asnjë nuk flet, megjithëse indiciet për këtë marrëveshje janë alarmante.
Kur ne kërkojmë përkrahje për një nga tragjeditë dhe padrejtësitë më të mëdha që I është bërë Kombit Shqiptar, Çështjen e Genocidit të Shqiptarëve të Çamërisë, disa heshtin e stigmatizojnë.
Po është për turp o të shitur se jemi shqiptarë po si Ju!
Kur ne denonconim dje në Parlament e sot çdo ditë aktivitetet antikushtetuese për Vorio Epirin ku dalin deputetë e funksionarë të lart grekë me flamurin e Zografit, asnjë nuk flet e asnjë nuk vepron.

Sot një pjesë e Politikës, ajo që tregon vasalitet të vazhdueshëm ndaj Greqisë hesht. Një pjesë e medieve hesht dhe është e blerë. Prandaj jemi në një emergjencë Kombëtare.
Në këto kushte:I kërkojmë Presidentit të Republikës të mbledhë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare, të vërë në lëvizje të gjitha agjencitë ligj zbatuese për të hetuar e vënë prapa dyerve të qelisë ata që kanë marrë para, shumat e qëllimet sepse vetëm në një muaj bëhet fjalë për 1 milion euro.
Po me vite sa është kjo shumë? I bëj sot thirrje Presidentit të Republikës të kërkojë urgjentisht mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e të kërkojë informacionet e nevojshme për të kuptuar sasinë e vërtetë të fondeve të zeza sekrete të dhëna nga Ministria e Jashtme greke, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimet Sekrete Greke dhe qëllimin dhe ndikimin real, që kanë pasur këto fonde në manipulimin e opinionit publik dhe vendimmarrjen e shtetarëve shqiptarë. Ritheksoj që janë 1 milionë euro vetëm për një muaj, e asnjëherë nuk do kuptojmë sasinë e vërtetë të fondeve të paligjshme të derdhura në vend, nëse nuk shtrohet si një prioritet për sigurinë kombëtare.
I kërkojmë urgjentisht Prokurorisë së Përgjithshme të hetojë, cilat janë portalet, gazetat, televizionet, gazetarët, biznesmenët, OJQ-të, që janë financuar nga Fondet e Zeza sekrete të ministrisë së Jashtme Greke, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shërbimit Inteligjent Grek.
Ku u investuan? Me çfarë qëllimesh Cilat ishin qëndrimet e mbajtura prej këtyre medieve? Cilët persona u implikuan personalisht në këtë operacion? Ç’po bën Prokuroria e Përgjithshme, kur dje Prokuroria e Athinës ka nisur Hetimet për nxjerrje të Sekretit Shtetëror? Ç’po bën Kryeministri I Shqipërisë, kur dje Kryeministri Grek del të përgënjeshtrojë e të kërcënojë me nxjerrje të sekretit Shtetëror?
Për sa kohë autoritetet e Tiranës dhe idiotët e dobishëm të Athinës në Tiranë do të heshtin për këtë skandal të përmasave Kombëtare? Me këtë rast e ftojmë Ministrin Bushati të vazhdojë të përshëndesë bashkëpunimin e turpshëm me homologun Kotzias të investuar direkt me Fonde Sekrete në dëm të interesave Kombëtare të Shqipërisë.
Ne Shqiptarët e Çamërisë falenderojmë e u jemi mirënjohës medieve patriote shqiptare që kanë vënë alarmin. Ne Shqiptarët e Çamërisë nuk harrojmë dhe miqtë dhe armiqtë tanë, e gjitha është Çështje Kohe.

Article Logic
Execution time: 0.0038280487060547