Forcat e Armatosura janë angazhuar gjatë këtyre ditëve në pastrimin e rivierës Shqiptare. Operacioni i tyre po vijon në bregdetin e vendit nga Vlora në Ksamil, zona në të cilat fluksi i turistëve është i madh. Qëllimi kryesor është sensibilizimi i qytetarëve dhe bizneseve pët të mbajtur pastër mjedisin.
Zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi ka inspektuar përgjatë aksit rrugor Himarë-Borsh, punën e efektivëve të batalionit “Komando”, të angazhuar në këtë operacion.
Koçi përgëzoi efektivët për përkushtimin dhe sakrificën e tyre, dhe u njoh me planin e operacionit të pastrimit.
“Fatkeqësisht ndotja e mjedisit mbetet një emergjencë aktive në Shqipëri, kjo edhe për shkak të një ndërgjegje shumë të ulët shoqërore që kanë qytetarët tanë, sidomos ata që lëvizin me mjete në rrugët e Republikës sonë. Dua t’i shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin çdo njeriu me uniformë që është angazhuar në këto ditë pushimesh për të tjerët, për të punuar në mënyrë që ky operacion të zbatohet me sukses.” – theksoi zëvendësministri Koçi, i cili kishte një mesazh edhe për organet e pushtetit vendor. “Dua t’i bëj thirrje organit të pushtetit vendor që të jenë më bashkëpunuese me FA në zbatimin e këtij operacioni. Ky bashkëpunim është shumë domethënës për realizimin me sukses të të gjithë aksionit.”- është shprehur ai.