INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

"Fortesa" Vllazni ndal kryesuesit

Publikuar më: 08:49 17-04-2017

Pas barazimit të Kukësit javën e kaluar, sot kanë qenë të kuqtë e Partizanit që kanë provuar forcën e shkodranëve. Vllaznia arriti të ndalë Partizanin në një barazim 1-1, në ndeshjen e luajtur në "Loro Boriçi".

Ndeshja u luajt nën reshjet e shiut, në pjesën më të madhe të saj, çka solli përkeqësimin e vazhdueshëm të terrenit.

Vllaznia e nisi ndeshjen pa 6 prej titullarëve të saj, pasi mungonin Vrapi e Bakaj, të pezulluar, si dhe Krymi, Bardulla, Marku dhe Cicmil, të dëmtuar. Megjithatë, të rinjtë e aktivizuar nga trajneri Cungu e justifikuan plotësisht besimin.

Shkodranët kërcënuan tre herë portën e Alban Hoxhës, në pjesën e parë, me anë të tre goditjeve nga distanca të Eraldo Çinarit. Partizani, nga ana tjetër, pati vetëm një rast të mirë, por Ekuban goditi shtyllën.

Pjesën e dytë, Vllaznia e nisi mjaft mirë dhe iu afrua shumë golit me anë të Hebajt, por topi i goditur prej tij, nuk e kaloi plotësisht vijën e portës, pavarsisht protestave të shkodranëve.

Megjithatë, pak minuta më pas, në të 76-ën, talenti Rubin Hebaj kaloi në epërsi shkodranët, me një gjuajtje me kokë, brenda zonës. Gjithsesi, Partizani arriti të barazojë vetëm katër minuta më pas, me anë të sulmuesit Ekuban. Goditja e tij, u devijua nga mbrojtësi Bici dhe e ndihmuar edhe nga terreni i rrëshkitshëm, përfundoi në cepin e portës së mbrojtur nga portieri shkodran Selimaj.

Në minutat në vijim, Partizani bëri gjithçka në kërkim të golit të fitores dhe hodhi në fushë edhe sulmuesin shkodran Sukaj. Me këtë barazim, Partizani mbetet në krye të renditjes, por këtë herë me pikë të barabarta me Kukësin.

Nga ana tjetër, Vllaznia mban e vetme vendin e katërt, që mund t'i sigurojë një vend për në kupat e Europës.

Article Logic
Execution time: 0.0036299228668213