INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Forumi i LSI/ Meta sfidë hapur Ramës: Mbështesni fort Petrit Vasilin që të bëhet kryeministër

Forumi i LSI/ Meta sfidë hapur Ramës: Mbështesni fort Petrit Vasilin që të bëhet kryeministër

Publikuar më: 10:55 30-04-2017

Kreu i LSI-së, ende në detyrë, Ilir Meta ka mbledhur paraditen e sotme Komitetin Drejtues Kombëtar. Teksa ka informuar anëtarët e Komitetit për lëvizjen e fundit, ai ka prezantuar kryetarin e ri të LSI-së.

"Me Petrit Vasilin në krye, LSI do të njohë vetëm rritje. T’i japim shans Vasilit të jetë njësh i LSI, me përkrahjen tuaj mund të bëhet edhe njësh i Qeverisë. Bëj shaka, ju e zgjidhni vetë kë doni kryeministër”, u shpreh Meta.

Ndërkaq, kreu ende në detyrë i LSI ka njoftuar Komitetin Drejtues Kombëtar të partisë edhe për Konventën që është parashikuar të mbahet të mërkurën.

Në deklaratën e një dite më parë, Meta theksoi se LSI do të njohë rritje të mëtejshme.

“Nuk dëshiroj të hyj në komente të tilla, por nuk jam aspak dakord me disa titra që lexova të Kryetarit të ardhshëm të LSI-së z. Vasili, i cili thoshte se me apo pa Metën, LSI-ja do të jetë një forcë e qëndrueshme. Unë jam i sigurt se LSI-ja do të njohë rritje dhe kam garanci, sidomos te kjo listë që lexova, te të rinjtë dhe të rejat e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.

Angazhimi im në politikë ka qenë gjithnjë në mbështetje të të rinjve dhe të rejave. Ata janë shpresa më e madhe që politika jonë të mos zhytet në një konflikt dhe egoizëm të tillë që mund të krijojë pasiguri për të gjithë qytetarët shqiptarë në një mënyrë të pamerituar.

Nesër Kryesia e LSI-së vendosi të mblidhet Komiteti Drejtues Kombëtar i LSI-së ku do të merren disa vendime të rëndësishme për drejtimin e LSI-së dhe ku unë i kam kërkuar dhe do t’i kërkoj KDK-së dhe Konventës Kombëtare që Kryetarja apo Kryetari i LRI-së në statut të jetë gjithmonë Nënkryetar i LRI-së. Ditën e mërkurë do të mblidhet Konventa Kombëtare e LSI-së në mënyrë që të zgjedhë Kryetarin e ri dhe Zv.Kryetarin e ri”, u shpreh Meta.

Article Logic
Execution time: 0.0034959316253662