Shkrimtari Ismail Kadare nis vitin e ri me një vlerësim të spikatur. Presidenti francez Hollande e ngriti Ismail Kadarenë në gradën më të lartë të Urdhërit të Legjionit të Nderit. Kjo është dekorata më e lartë që jepet nga shteti Francez!
Kryeministri Edi Rama përmes një statusi në Facebook ka ndarë dhe vlerësimin e tij për Kadarenë duke e konsideruar atë si shkrimtarin që ngjiti gjuhën shqipe në maja të pashkelura më parë. Kreu i Qeverisë ka shprehur mirënjohje dhe për Presidentin e Francës për dekoratën e dhënë Ismail Kadaresë.
Rama shkruan:
Në hyrje të 2016-ës që përkon edhe me vitin e 80 vjetorit të shkrimtarit tonë botërisht të mirënjohur, Presidenti François Hollande e ngriti Ismail Kadarenë në gradën më sipërore të Urdhërit të Legjionit të Nderit, dekorata më e lartë e Francës! Urime nga zemra me mirënjohje e respekt, shkrimtarit që e ka çuar gjuhën shqipe në maja të pashkelura më parë dhe e ka bërë veprën e tij, të lexohet e të admirohet në plot gjuhë të botës!
Në mbylljen e vitit dhe Bashkia e Gjirokastrës ka shpallur 2016-ën vitin e shkrimtarit Ismail Kadare.