Federata Shqiptare e Futbollit organizoi sot një mbrëmje festive, me rastin e festave të fundvitit, ku ishin të ftuar personalite të njohur të sportit në vend dhe jo vetëm. Sabien Lilaj është shpallur “Lojtari i Vitit” nga FSHF në mbrëmjen gala të fundvitit të organizuar nga institucioni që drejton futbollin në vendin tonë. Mesfushori i Skënderbeut, një nga liderët e skuadrës korçare dhe protagonist absolut në ecurinë mbresëlënëse në kampionat dhe Europë gjatë këtij viti, është nderuar sot me trofeun pas anketës së përvitshme të FSHF-së që nderon lojtarin më të dalluar.
Kjo nuk është hera e parë në të cilën Lilaj fiton këtë çmim mjaft prestigjioz, i cili vjen nga vlerësimet e trajnerëve dhe kapitenëve të skuadrave të Superiores. Edhe në vitin 2015, ai u shpall lojtari më i mirë në elitën e futbollit shqiptar. Ai përfitoi edhe këtë edicion një çek prej 2 milionë lekësh të vjetra, një shumë simbolike që FSHF ka caktuar për fituesin e këtij çmimi.