Ka arritur një rekord fansash në faqen e tij virtual në Facebook, 350 mijë. E në mënyrë të befasishme dhe të padëgjuar ndonjëherë, Behgjet Pacolli ka postuar një ftesë për ta. Të gjithë i fton për koktel në verë në shtëpinë e tij.
Ja çfarë shkruan:
-Të dashur miq, po e shoh se kam kaluar numrin e 350.000 të fansave në Facebook. Ne kemi ndarë shumë diskutime midis nesh. Kemi debatuar për gjërat, që na lidhin, e së tepërmi: MIRËQENIA E BASHKATDHETARËVE TANË.
Unë ju falenderoj shumë për debatin tonë, pavarësisht si ka qenë ai, sintonues apo kundërshtues, për mua ka qenë shumë frymëzues.
Edhe unë gaboj, por komentet tuaja kanë ndikuar, që gabimet e mia të jenë të limituara. Edhe diçka ju duhet ta dini: Ju jeni të rëndësishëm për mua. Ne kemi qëndruar së bashku tërë kohën! Prandaj, unë kam një dëshirë: t’ju ftoj në shtëpinë time për një kokteil gjatë kësaj vere. Pse jo çdo ditë të javës së fundit të gushtit, kur është dhe jubileu i ditëlindjes sime!