Ndërkohë që pritet që vetë Saimir Tahiri të dalë në konferencë për mediat lidhur me dorëheqjen e tij nga posti i ministrit të brendshëm, burime pranë shefit ekzekutiv bëjnë të ditur se kryeministri Rama pritet të firmosë zyrtarisht edhe largimin e disa ministrave të tjerë në kabinetit të tij qeveritar.
Të njëjtat burime saktësojnë se Rama mund të firmosë konkretisht shkarkimin e Damian Gjiknurit, Ditmir Bushati, Blendi Klosit, Lindita Nikollës, Mimi Kodheli, Bledi Çuçit dhe Ilir Beqajt.
Kjo furtunë shkarkimesh në kabinetin qeveritar nuk do të thotë krijim të një qeverie teknike siç kërkon opozita, pasi saktësohet se zëvëndësuesit e tyre në kabinetin e ri qeveritar do të jenë sërish figura kryesore politike nga PS-ja.
Rama pritet të shkarkojë nga detyra pikërisht ata ministra që janë njëkohësisht drejtues politikë të Partisë Socialiste në qarqe, për t’iu dhënë atyre mundësi që të fokusohen me kohë të plotë në angazhimin elektoral dhe arritjen e objektivit: fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.
Kësisoj Partia Socialiste hyn para kohe në fazën finale të fushatës, duke rritur praninë e drejtuesve politike në çdo qark, si edhe duke përfshirë të tjera figura politike në kabinetin qeveritar.
Ende nuk konfirmohet nëse Rama do t’i shkarkojë të 9 ministrat që PS ka deleguar si koordinatorë në qarqe apo vetëm një pjesë të tyre.
Pikëpyetje ka edhe sa i takon faktit nëse kjo lëvizje e kryeministrit bëhet për të “mjegulluar” vendimin e tij të beftë për shkarkimin e sotëm të Tahirit.
EMRAT E MINISTRAVE SOCIALISTE QE JANE DREJTUES TE PS NE QARQE
Saimir Tahiri – Tiranë
Damian Gjiknuri – Vlorë
Niko Peleshi – Korçë
Ditmir Bushati – Shkodër
Blendi Klosi – Berat
Lindita Nikolla – Lezhë
Mimi Kodheli – Dibër
Bledi Çuçi – Gjirokastër
Ilir Beqja – Kukës