Grabitësit nuk njohin kufij apo frikë. Dhe shëmbulli vjen këtë të enjte nga Fushë Kruja, ku një pikë e këmbimit valutor dhe argjendarie është grabitur me thyerje pak pas mesnate në qytetin e Fushë Krujës. Dyqani i grabitur ndodhet vetëm 40 metra nga stacioni i policisë së Fushë Krujës, ku grabitësit kanë treguar guxim të madh duke thyer e më pas kanë vjedhur dyqanin. Nga të dhënat paraprake mësohet se grabitësit kanë mundur të kryejnë vjedhjen duke thyer derën në pjesën anësore të dyqanit, duke marrë të pashqetësuar një sasi të konsiderueshme valute dhe buzhuteri. Ndërkohë në vendngjarje kanë mbërritur uniformat blu, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes ndërsa ende nuk ka dhëna për identitetin e grabitësit.
Policia thotë se grabitësit kanë shembur më pas murin e pasëm të dyqanit me tulla dhe kanë arritur të ikin.
Dyqani i grabitur është në pronësi të shtetasit Shyqyri Shehu, efektiv policie në burgun e Fushë Krujës. Ky i fundit ka bërë të ditur se nuk ka konflikte personale me askënd.