Gangsterët shqiptarë me seli në Londër, Hellbanianz, janë vënë sërish në qendër të mediave angleze. Investigimi i Mail On Sunday kësaj herë më shumë se tek jeta e shtrenjtë mes makinave luksoze me burim paratë e fituara nga kriminaliteti, është fokusuar tek “Hellbanianz” si grup muzikor dhe shfrytëzimi i teksteve të tyre si PR kriminal.
Në artikullin e realizuar nga gazetarët e Mail On Sunday Mark Hookman dhe Jake Ryan, duke cituar ekspertët e sigurisë thuhet se Hellbanianz po e përdorin muzikën si një PR për qëllimet e tyre kriminale, por edhe për të rekrutuar anëtarë të rinj shqiptarë.
“Gangsterët shqiptarë të drogës që pasqyrojnë pasurinë online, janë tashmë pjesë e mafias në Londër, të cilët rekrutojnë ushtarë të rinj në Angli, përmes videove, ku shfaqen duke udhëtuar me Lamborghini dhe Rolls Royce e duke u dhënë jehonë kapove sikur të jenë një kartel droge”, shkruhet në gazetën britanike.
E ndërsa të gjithë i njohin anëtarët dhe drejtuesit të Hellbanianz përmes presudonimeve gazetarët anglezë kanë mundur të zbulojnë emrat e tyre të vërtetë.
‘Stealth’ një prej këngëtarëve kryesor të grupit i cili shfaqet në videoklipet e Hellbanianz i rrethuar nga djem më maska është Fatjon Dibra nga Burreli.
Ndërsa një tjetër anëtarë i rëndësishëm i këtij grupi është “Vinz”, që sipas kësaj gazete quhet Ervin Selita 26 vjec edhe ky nga Burreli.
Por siç duket ky shkrim i publikuar u ka prishur shumë punë djemve dhe këngët e tyre me miliona klikime janë fshirë nga YouTube. Gjithashtu u janë fshirë edhe profilet në Instagram.
Mirëpo kjo nuk zgjati shumë, pasi këngët e grupit u kthyen sërish siç mund ta shihni këtu.