INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Gara në PD. Basha takim me Selamin, ndërsa Patozi reagon ashpër

Gara në PD. Basha takim me Selamin, ndërsa Patozi reagon ashpër

Publikuar më: 13:11 03-07-2017

Eduard Selami kërkon shtyrjen e zgjedhjeve për lidershipin e partisë demokratike për në muajin shtator. Kërkesa e Selamit është zyrtarizuar menjëherë pas një takimi që mbajti me kreun e ngrirë të demokratëve Lulzim Basha, në ditën e parë të nisjes së fushatës për zgjedhjet e brendshme në PD.

Eduard Selami:
“I sugjerova që data 22 korrik është datë që mua nuk më jep kohë të mjaftueshme për të bërë fushatë dhe unë propozoj si kompromis që të jetë java e parë e shtatorit, me arsyen që ne na duhet në grupin parlamentar të kemi lidershipin e ri”.
Edhe pse ka kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit, selami thotë se pavarësisht vendimit të liderit Basha do të vijojë garën për të marrë drejtimin e partisë demokratike, forcë të cilën e themeloi rreth 27 vite më parë. Selami e Basha janë takuar në ambientet e jashtme të selisë blu, ku të dy kanë zhvilluar takime me mbështetësit e tyre demokratë, dhe Eduard Selami zbuloi se çfarë bisedoi me të.
Eduard Selami:
“Unë tani u takova me kandidatin tjetër, zotin Basha dhe biseda ka qëllim pikërisht këtë, për të bërë një garë sa më të pastër, një garë sa më të mirë për të dalë sa më të fortë nga kjo. Ne u takuam me simpatizantët e thjeshtë atje, edhe unë i bëra një vërejtje shoqërore kandidatit Basha që e ka filluar pak me vonesë sepse unë e kisha shoqëruar. Kjo është një garë brenda familjes, kjo është një garë vizionesh. Ka kohë që unë kam marrë qëndrim ndaj zotit Basha edhe kur ishte kryetar që ky model është model i kapërcyer, që ne të kthehemi në shpresë për shqiptarët PD ka për mision që të prezantojë para shqiptarëve një lidership të ri, një lidership bashkëkohor, lidership demokratik për të cilin unë them që fatkeqësisht zoti Basha nuk e ka dhe këto zgjedhje këto provuan. Unë kam bindjen se unë mund ta bëj këtë gjë dhe kam shpresë që demokratët do ta përkrahin siç e kanë përkrahur në njësinë 2 ku unë jam”.
Ndërsa Astrit Patozi, kishte vendosur 6 kushte për Lulzim Bashën, që të bëhej e mundur një gare e ndershme dhe transparentë për lidershipin e ri të selisë blu, por sot ai lajmëroi se Basha i refuzoj të gjitha, duke zgjedhur farsën dhe jo garën e ndershme. Në këto kushte, nëpërmjet një statusi në facebook, Patozi kërkon një tjetër hap nga demokratët, në mënyrë që siç thotë ai partia demokratike të mos përçahet.
Astrit Patozi:
“Pas kësaj, demokratëve u lind e drejta e çdo lloj forme reagimi për të mos lejuar rrëmbimin pa garë të mandatit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, personi që e çoi atë në humbjen më të rëndë të historisë së saj dhe po e çon me bindje drejt shkatërrimit përfundimtar”.
Ndërkohë gjatë pasdites Partia Demokratike ka thirrur mbledhjen e kryesisë, me 2 pika në rendin e ditës, miratimin e kandisurave për kryetar të PD si dhe do të vendosë të ngrihet Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale.

 

Article Logic
Execution time: 0.0020430088043213