Dy kandidatët për liderin e ri të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Eduart Selami kanë qenë në Korçë për të shpalosur platformën e tyre për qeverisjen e ardhshme të kësaj force. Gjatë prezantimit të platformave të tyre, një i pranishëm i pyeti të dy kandidatët, se cili ishte raporti i tyre me Xhorxh Sorosin. Selami u shpreh se ai nuk ka asnjë lidhje me ketë organizatë, ndërsa fakti qe bashkëshortja e tij, gazetarja Ilva Tare punon për fondacionin e Xhorxh Soros, nuk ka asnjë ndikim në vendimmarrjen e tij. Edhe Basha mohoi të ketë lidhje me miliarderin, madje shkoi edhe më tej, duke e konsideruar organizatën e Soros, si mbështetëse te socialisteve dhe Edi Ramës. Selami i kërkoi Bashës të tregohet i sinqertë dhe të tregojë që bursën në Holandë e ka marrë pikërisht nga Soros-i , duke shtuar se Grida Duma dhe Lulzim Basha e kanë falenderuar publikisht Xhorxh Sorosin për mundësimin e studimeve, dhe se për këtë ekzistojnë edhe filmime. Basha nuk e pranoi argumentin e Selamit duke u shprehur se bursa e tij është financuar nga një fondacion tjetër, jo nga ai i Xhorxh Soros.