INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Gara për titull / Gjici: Demi ta marrë me qetësi, nuk jemi në luftë

Gara për titull / Gjici: Demi ta marrë me qetësi, nuk jemi në luftë

Publikuar më: 12:05 19-04-2017

Gara e ashpër për titull midis Kukësit dhe Partizanit tashmë ka dalë nga fusha e lojës, duke u zhvendosur te presidentët e dy klubeve. Deklarata e fundit e presidentit të Partizanit, Gaz Demi, se Gjici është pazarxhi, ka marrë një përgjigje nga numri një i verilindorëve. Gjici nuk e beson që z.Demi e ka thënë këtë gjë, por nëse e ka thënë, ai i tregon kodin e etikës midis presidentëve.

Gjici i tregon rastin e tij me presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj, ku dhe pse kanë pasur debat, nuk kanë dalë nga kornizat. Ky epitet nuk i shkon për shtat Kukësit dhe vetë Gjicit, pasi Kukësi, sipas tij, ka fakte dhe prova që ka luajtur ndershëm në çdo kompeticion, në Shqipëri dhe jashtë saj. Gjici i konsideron broçkulla këto deklarata, por nga ana tjetër thotë se ndoshta janë bërë nga tensioni i lartë i garës.

“Në lidhje me deklaratën e Gaz Demit, unë nuk e besoj që e ka thënë presidenti Demi atë gjë. Por, nëse e ka thënë, unë nuk do rri të merrem me broçkullat që thotë njëri apo tjetri. Unë nuk mund të flas për kolegët në atë mënyrë, në atë formë, gjithsesi mendimi i tij, në rast se e ka thënë. Unë besoj se ai nuk e ka thënë atë gjë, sepse të thuash një gjë të tillë, duhet të kesh fakte e prova.

Gjithsesi, tensioni i kampionatit ndoshta e ka acaruar. Ai duhet të ruajë qetësinë. Ne vërtet jemi në tension, por ka disa korniza që ne presidentët nuk duhet t’i kalojnë me njëri-tjetrin, sepse nuk është normale. Po e ritheksoj që nëse Gaz Demi e ka thënë këtë gjë nga goja e tij. Unë nuk rri të merrem me broçkulla të tilla, unë vazhdoj punën time, merrem me ekipin tim, mbroj interesat e mia, mbroj djersën time dhe do vazhdoj deri në fund kështu, është kaq e thjeshtë kjo gjë”, u shpreh Gjici.

TENSIONI

“Çdo gjë vjen nga tensioni, pasi konkurrenca në kampionat është shumë e fortë. Ndoshta Partizani, ashtu si edhe ne që u prekëm shumë nga barazimi në Kukës me Vllazninë, është prekur shumë nga barazimi me Vllazninë në Shkodër. Këto janë tensionet e kampionatit, por ne kemi pasur tension edhe në vitet e tjera.

Gjithsesi, ne presidentët kemi qenë brenda kornizave, nuk kemi kaluar caqet, nuk kemi kaluar në epitete të tilla, që nuk gjejnë vend për mua, sepse ne jemi ndër klubet më të ndershëm dhe më korrekt në kampionatin shqiptar. Këto i tregojnë faktet dhe statistikat në Shqipëri dhe në Kupat e Europës, ku kemi kaluar çdo vit ture dhe s’kemi toleruar, kemi zhvilluar garë dhe konkurrencë të ndershme.

Nuk ka pasur kurrë tolerime brenda dhe jashtë kampionatit shqiptar. Janë faktet dhe raportet e UEFA-s që kanë shkruar për Kukësin, për ndershmërinë tonë. Për Kukësin nuk besoj që gjejnë vend këto broçkulla të tilla, që nëse i ka thënë, është mendimi i tij.

Besoj që kolegët unë i trajtoj si të tillë, pasi në fund të fundit edhe ata investojnë mund dhe djersë, para, shpenzime të llahtarshme, ashtu si edhe ne. Por kurrsesi nuk duhet që të flasë me këtë gjuhë. Nëse i ka thënë, do më vinte shumë keq, gjithsesi mbetet mendimi i tij”, vijoi më tej presidenti i Kukësit.

PRECEDENTËT

“Mua nuk më shqetësojnë këto deklarata, sa më shqetëson puna ime, pasi duhet të fitojmë shtatë ndeshje që janë shtatë finale. Euforia duhet të jetë zero, si dhe puna e stafit që bëjmë përditë. Është një punë tej mase e lodhshme, stresuese, natyrisht dhe kampionati ka presionet e veta, tensionet e veta, por ne presidentët duhet të ruajmë kornizat me njëritjetrin.

Konkurrenca duhet të bëhet brenda fushës së lojës, jo me këto broçkulla nëpër gazeta. Unë kurrë s’kam folur për ndonjë president klubi, duke u vënë epitete. Besoj që nuk është as në gjuhën time, as në mendjen time, jo vetëm për presidentin Demi, por për të gjithë kolegët. Unë kam marrëdhënie miqësore, shoqërore, në fund të fundit nuk jemi në luftë, ne thjesht jemi në garë, pa dyshim që nuk duhen kaluar kornizat.

Dua të them që presidentët e klubeve duhet të ruajnë kornizat, siç ka ndodhur edhe më parë. Ne kemi pasur konkurrencë edhe më parë me Korçën, kemi bërë debate, por kemi qëndruar korrekt në çdo marrëdhënie në fushë dhe jashtë saj, president me president. Në fund të fundit, ne jemi ata që investojmë.

Natyrisht z.Demi investon pa fund, por unë kam pesë vite që investoj pikërisht për këtë titull, i kemi dhënë ton kampionatit shqiptar, nuk mundet dot askurrkush që të na vërë nën presion, të na humbë këtë investim që kemi bërë prej kaq vitesh. Kemi një ekip që ka 29 ndeshje pa humbje, natyrisht që kampionati i takon, patjetër që titulli merret në fushën e blertë, nuk merret me tensione, nuk merret me presione, nuk merret nga ata që bëjnë dallavere, nuk merret nga ata që bëjnë matrapazllëqe.

Ata që bëjnë pazare janë të tjerë, nëse ka folur Gazi këto për mua, do të thotë që nuk ka informacion për mua dhe për Kukësin. Por unë nuk e besoj kurrë që ta ketë thënë Gazi këtë gjë”, përfundoi Gjici për “Panorama Sport”.

Article Logic
Execution time: 0.0050208568572998