INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Gay… Lezbike… Edhe?

Gay… Lezbike… Edhe?

Publikuar më: 19:00 01-05-2018

Nga Dafne Bajraktari

Përditë në shtëpi, kafe, punë dhe kudo hasem me një mentalitet që nuk më bën sens dhe asnjëherë nuk i evitoj dot debatet.

Nuk është një temë ndaj së cilës mund të them: “Ok, t’a lej me kaq se nuk ja vlen”.

Flas pikërisht për komunitetin LGBT dhe aurën që e rrethon këtë temë sa herë përmendet ose nënkuptohet.

Kam patur fatin e madh, të rritem në një ambient ku kjo çështje nuk është përmendur. Të paktën deri në klasën e 9-të kur isha 15 vjeç, unë nuk isha e informuar për qëndrimin e njerzve kundrejt këtij komuniteti. Madje nuk i konsideroja as komunitet, për mua ishim të gjithë një, njëlloj.

Si fëmijë që lexoja romane, kisha një koncept shumë sublim për dashurinë, koncept të cilin askush nuk mund t’a kontestonte. Isha e dashuruar me dashurinë dhe çdo njeri që dashuronte për mua ishte i bukur.

Kjo zgjati deri në vitin e parë të gjimnazit, ku rrethi shoqëror nisi të zgjerohej dhe një valë çoroditjeje e seksualitetit zuri mat të gjithë brezin tim. Për mua ishte normale, sepse sapo kishim hyrë në një moshë ku të gjithë po eksperimentonim dhe po kërkonim të njiheshim më shumë me veten tonë, trupat tanë, seksualitetin. Por shihja reagime shumë negative që nuk i kuptoja dot.

Aty dëgjova të sharat, aty dëgjova teorirat fetare nga njerëz që as nuk e dija se besonin ose që nuk besonin fare, që “Zoti” krijoi për një arsye Adamin edhe Even. Aty kuptova se bota në fakt u ndaka në disa pole njohjeje, pranimi, mohimi dhe vetëmohimi.

Ndoshta ishte naiviteti im dhe padija ime kundrejt anës së errët të medaljes, që bënte miqtë e mi apo edhe njerëz totalisht të rinj në jetën time, të më afronin dhe të me hapeshin për këtë temë.

Ata vuanin, ishin në mëdyshje, kishin frikë nga gjykimi. S’do e harroj sa dhimbje kam ndjerë në zërat që tentonin të shpjegonin çfarë ndjenin dhe çfarë donin por nuk shpreheshin dot qartë.

Shumë shpesh përgjigjia ime ka qenë: Nuk e kuptoj ku qëndron problemi. Thjesht leji gjërat të marrin rrjedhën e tyre natyrale dhe ndiqe atë rrjedhë. S’ka asgjë për t’u shqetësuar në këtë mes.

Shihja një fare lehtësimi në fytyrat e tyre sepse ajo çfarë ata donin ishte thjeshtë mos të ndiheshin të çuditshëm dhe jashtë kornizave të normales.

Por në fund të ditës, kush i ka caktuar këto korniza të normales? Kush paska qenë ai njëri aq i kulluar apo i moralshëm që vuri pikat mbi i-të e seksualitetit? Kush vendosi mënyrat konvencionale të të pasurit partner, të të puthurit, të seksit? Kush tha se një çun duhet të luajë me makina dhe një gocë me kukulla? Pse duhet kaq shumë dhunë dhe urrejtje kundrejt zgjedhjeve dhe ndjesive të dikujt tjetër?

Dhe ç’është më e rëndësishmja; kush ndihet aq ZOT sa të përdhosi seksualitetin dhe ndienjat e dikujt tjetër?

Pse duhen vënë etiketime për një ndienjë aq të bukur sa dashuria ose mënyra se si ne e konceptojmë veten?

Shifrat e Institutit Nacional të Shëndetit Mendor në Amerikë, tregojnë se depresioni prek pjesën LGBT të popullatës shumë më shumë se pjesën heteroseksuale dhe gjithashtu raportohet se rinia LGBT është më e prirur drejt përdorimit të drogës dhe ndienjave të depresionit. Sipas Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, vetëvrasja është arsyeja e tretë e vdekjes midis moshave 10-24 vjeç në Shtetet e Bashkuara.

Rinia LGBT ka dyfish më shumë rrezik të tentojë vetëvrasjen se sa miqtë e tyre heteroseksual.

Dhe pse ndodh kjo? Sepse disa bullies (bulista) mendjengushtë të cilët janë rritur duke i trajtuar penisat si kult, që se honepsin dot seksualitetin e të tjerëve sepse kanë probleme me të vetin, që nuk shohin dot përtej vetes së vet, vendosin që kjo është mënyra më e mirë për të vënë “rregullin” në botën që po “u prishka” nga këto “fenomene të shpifura dhe jo të natyrshme”?

Edhe nëse bulizmi ngelet pas me vegjëlinë, pasojat ngulen në mendjen e këtyre njerëzve (që nuk e kishin aspak për borxh ndaj askujt këtë gjë), duke krijuar kështu çrregullime të gjendjes emocionale e ankthit dhe duke i bërë më vulnerabël dhe më të rrezikuar drejt sjelljeve vetëvrasëse. Sigurisht që si domino, ndikohet në proçesin normal të shoqërizimit që duhet të kenë, në profesionin e tyre dhe në çdo zgjedhje tjetër sado të vogël në jetë.

Nuk dua t’a mbush artikullin me statistika kur interneti është i mbushur me to, ndaj për më shumë mund të google-oni dhe të kuptoni impaktin që kjo veshje abnormaliteti që i bëhet çështjes dhe diskrimini i dhunshëm verbal e jo rrallë fizik, ka mbi njerëzit e LGBT.

Jetojmë në një botë të mbushur me diversitet edhe ngjyra për t’u kapur mbrapa të bardhës edhe të zezës. Thyerja e dikotomisë që na paracaktohet si normalitet midis mashkullit dhe femrës qoftë si koncepte qoftë si partnerë, nuk ka pse të jetë absolute dhe s’kemi pse të ndihemi të kërcënuar nga thyerja e këtij “normaliteti” vetëm sepse jemi rritur me mendimin radikal se kjo është rruga e duhur dhe nuk ka tjetër.

Rritemi duke patur një nevojë të sëmurë për të patur divizione dhe sigurisht kemi një nevojë natyrale për t’u grupuar sipas përkatësive të ndryshme.

Feja nuk është më një mburojë mbas së cilës mund të mbroheni me argumentime biblike mbasi vetë Papa ka thënë se gay-të nuk duhen margjinalizuar dhe duhen integruar në shoqëri, ashtu siç duhet të jetë. Tekstualisht ka thënë: “Nëse një person është gay dhe kërkon Zotin, dhe gjithashtu ka vullnet të mirë, kush jam unë t’a gjykoj?”

Nëse mbas kaq shumë vitesh lobim kundër, më në fund po bëhet një hap shumë i madh edhe nga një institucion aq radikal sa Kisha, përse nuk mund t’a bëjmë dhe ne qoftë edhe një përpjekje?

Sigurisht kisha pranon orientimin seksual por ama ende dënon aktin. Nuk mund t’i kemi të gjitha përnjëherësh. Fundja me kaq vite histori në shpinë, hapat që duhen ndërmarrë për të bërë një ndryshim që të ketë impakt janë për t’u paralelizuar me shpejtësinë dhe distancën e lëvizjeve të pllakave tektonike. Duhet mirënjohje dhe përqafim për çdo ndryshim që na vjen në mënyrë që të ecim përpara.

Nuk ka kuptim që nëpër botë të legjitimojnë armëmbajtjen duke krijuar të ashtëquajturën “kulturë të armëve” që sjell vetëm dhunë, dhe me pasion të luftohet kundër dashurisë dhe ndierjes së vetvetës në çfarëdolloj forme të duam.

Nëse kam një mesazh për të dhënë këtë muaj si dhe çdo muaj tjetër, është:

DASHUROHUNI NJERËZ ! Dashuria është e bukur. Dashuroni, njiheni dhe pranojeni veten dhe njerëzit përreth jush. Mos ngurroni asnjëherë të ndiheni “të jashtëm”, pasi normalja është abstrakte. Realiteti im nuk është i njejtë me atë të një personi që mund të ketë sinestezi apo problem të shëndetit mendor, ama kjo nuk do të thotë se realiteti im është i duhuri dhe i tiji i gabuar.

Ej, jemi në 2018 ! Rrituni, shtrëngoni testikujt tuaj të brishtë diskriminues (në rastin e femrave testikujt imagjinarë) dhe pranoni realitetin ku jetojmë.



Article Logic
Execution time: 0.0040960311889648