Gazmend Paja është një nga aktorët e humorit i cili me karakteret dhe personazhet e shumtë që ka paraqitur në emisionin Portokalli e ka bërë publikun për vete.
Së fundmi ashtu siç e ka pranuar edhe në një intervistë për “Lart e Poshtë” Gaz është shumë i përkushtuar pas projekteve aktuale në teatër. Ai ka interpretuar në shfaqjen “Darka e Lamtumirës”, krah aktorëve Laura Nezha dhe Visjan Ukcenaj.
Gazetarja Suada Daci e ka ngacmuar paksa aktorin duke e vënë në dilemë me pyetjen se kë do të zgjidhte mes teatrit dhe “Portokallisë”, por që mesa duket Gazi i ka mëse të qarta idetë për të ardhmen dhe është shprehur i bindur që do të zgjidhte teatrin duke premtuar një përkushtim 100% pas këtij të fundit.
Përsa i përket “Portokallisë”, Gaz Paja është shprehur: “Drejtuesit aty bëjnë favore sipas tekave, përsa i përket konkurencës aty nuk shoh asnjë të tillë. Fare,zero.”
I pyetur nëse ka ndonjë pjesë nga spektakli i humorit ku Gazi bëhet paksa nostalgjik, aktori është shprehur se i mungon vetëm miku i tij Bes Kallaku.