INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Gazetarët sot në protestë: Ne kërkojmë të na lini të kryejmë detyrën tonë!

Gazetarët sot në protestë: Ne kërkojmë të na lini të kryejmë detyrën tonë!

Publikuar më: 09:46 14-04-2019

Një tjetër protestë zhvillohet sot, por këtë radhë nga ata që sjellin lajmet në çdo shtëpi, gazetarët. Pre e dhunës në Shqipëri kanë rënë shpesh edhe gazetarët. Të armatosur vetëm me fjalën dhe mikrofonin, ata janë bërë shpesh pengesë për “dhunuesit” që edhe para kamerave kanë tentuar t’i ndalin në kryerjen e detyrës së tyre. Kjo dhe shumë arsye të tjera kanë bërë që gazetarët të protestojnë sot në orën 16:00-17:00 para Prokurorisë së Përgjithshme.

Njoftimi i gazetarëve

GAZETARËT NË PROTESTË
Ditën e premte (12.04) rojet e sigurisë së Prokurores së Përgjithshme të Përkoshme, Arta Marku, ushtruan dhunë fizike ndaj gazetarit Renaldo Salianji, gjatë kohës që po kryente detyrën e tij.

Pak ditë më parë, Kryetari i Bashkisë së Pukës kërcënoi me “varje” gazetarin e emisionit Investigativ “Fiks Fare”, teksa ky i fundit kryente detyrën.

Forcat e policisë penguan gazetaren Dorjana Bezat teksa raportonte live për shembjen e banesave tek “Bregu i Lumit”.
Dhuna policore qëlloi mbi gazetarin Erion Skëndaj gjatë raportimin të protestës së opozitës.

Komuniteti i gazetarëve dënon keto akte të rënda dhe të papranueshme të ndodhura vetëm së fundmi me punonjësit e medias. Këto veprime cënojnë jo vetëm integritetin fizik të gazetarëve, por edhe lirinë e medias.

Sot, gazetarët në Shqipëri po përballen me sulme fizike nga zyrtarë dhe njerëz të pushtetit, sikundër edhe me arrogancën institucionale, që shkel rëndë misionin e medias.

Si reagim i fortë ndaj dhunës që kërcënon gazetarët, heshtjes së institucioneve përgjegjëse për të dënuar këto akte, kemi vendosur që ditën e Dielë ora 16:00-17:00 para Prokurorisë së Përgjithshme të protestojmë.

Ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Truprojës së Arta Markut dhe që Prokuroria e Përgjithshme të kërkojë falje për aktin e kryer.

Ne kërkojmë zbatimin e ligjit për kryetarin e Bashkisë së Pukës.

Ne kërkojmë të na lini të kryejmë detyrën tonë!
Ne protestojmë për çdo akt që cënon lirinë e medias dhe gazetarit!

Lajmësi është i shenjtë!

Article Logic
Execution time: 0.0037720203399658