Ishulli i vogël i Maltës mbrëmjen e djeshme u trondit nga vrasja me autobombë e gazetares Daphne Caruana Galiza, e cila ishte reporterja më e njohur investigative në vend.
Një blogere që kishte akuzuar qeverinë malteze për korrupsion dhe kishte udhëhequr skandalin e Panama Papers. Më shumë se 3000 vetë u mblodhën për t'i bërë homazhe reporteres së ekzekutuar.
Të rinj, të moshuar me qirinj në duar ecën për 1 kilometër e gjysmë në nder të blogeres duke vendosur qirinjtë në foton e saj.
Pavarsisht se Malta njihet një vend ku është e zakonshme të përdorën armë e bomba, ajo që ka shokuar pas vrasjes së gazetares është postimi i një polici i cili do të duhej të hetonte atentatin.
Në një postim në Facebook vetëm pak minuta pas ngjarjes ai shkruan “Të gjithë marrin atë që meritojnë, jam i lumtur".
Një postim i tillë ka shkaktuar edhe reagimin e njërit prej djemve të 53 vjeçares i cili lëshoi akuza të drejtpërdrejta kundër qeverisë së Maltës duke u shprehur se nëna e tij ishte vrarë nga shteti mafioz dhe se policia ishte e paaftë në detyrën e saj.
“Ka kriminelë kudo, situata është dëshpëruese” ishte ky postimi i fundit i gazetares e cila jo vetëm paralajmëron por rrëfen se vrasësit e saj tashmë ishin afër…
Gazetarja e njohur që e kishte akuzuar qeverinë malteze për korrupsion, vdiq nga shpërthimi i makinës që drejtonte pak pasi u largua nga shtëpia e saj në Bidnija.