Media e njohur zviceriane “blick.ch” në krye të faqes ka vendosur editorialin e suplementit të saj “Sontagg Blick” ku ndodhet një artikull i dedikuar pikërisht reperes nga Kosova, Loredana Zefi me titullin “Joshqiptare dhe pa nder.” E shkrua nga Dafina Eshrefi.
Redaktorja e “SonntagsBlick” Dafina Eshrefi është një emër mjaft i njohur për publikun kosovar, pasi ajo ka qenë në garë për të përfaqësuar Zvicrën në festivalin e “EuroSong”, por është edhe një gazetare me emër në Zvicër dhe mbrojtëse e fortë e kauzës shqiptare.
Ajo ka bërë një shkrim komentues në lidhje me konferencën për shtyp të Loredanës në Prishtinë.
Në shkrim ajo artikulon se Loredana u përpoq ta portretizojë veten si një shqiptare e devotshme, e cila qëndron në krah të familjes dhe vëllezërve të saj për t’i mbrojtur, por nëse gjykata e dënon, shkruan Dafina, ajo nuk do të tregojë më asnjë vlerë Shqiptare apo Zviceriane, madje do t’i njollosë ato.
Më tej ajo vazhdon:
“Loredana nuk mund të shkelte më haptazi traditat shqiptare. Kultura shqiptare njeh një traditë zakoni me emërtimin “Besa”, e cila ndryshe përkthehet ‘fjala e nderit’, pra një premtim që duhet mbajtur. Me këtë sjellje Loredana dëmton imazhin e të gjithë shqiptarëve në Zvicër.” – shkruan kosovarja në artikullin e saj.
Dafina vazhdon shtjellimin e termit “Besë” duke thënë se ajo përdoret edhe si një obligim ndaj njerëzve që janë në nevojë ose në hall. Për të dhënë një shembull të kësaj tradite ajo sjell në vëmendje faktin se shqiptarët shpëtuan jetët e mijëra hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.