Afro-amerikani George Floyd, i cili humbi jetën në mënyrë mizore nga disa oficerë gjatë një arrestimi, ngriti në këmbë botën dhe shkaktoi protesta të dhunshme në Amerikë.
Pamjet e viktimës së shtrirë në tokë me efektivin që i kishte vendosur gjurin në qafë janë shpërndarë gjerësisht në internet, duke treguar sjelljen raciste të efektivëve ndaj një personi me ngjyrë të paarmatosur, që as nuk po bënte rezistencë.
Sot i është dhënë lamtumira e fundit afro-amerikanit, në një ceremoni mortore private.
Ceremonia e varrimit të Floyd u mbajt në qytetin e tij të lindjes në Houston, konkretisht në kishën “The Fountain of Praise në Houston”.
Kampioni i boksit, Floyd Mayweather ka paguar funeralin e George Floyd, ndërsa trupi i të ndjerit është futur në një arkivol në ngjyrë ari.
Ai do të prehet pranë varrit të mamasë së tij në Houston.
Në ceremoninë mortore ishin 500 të ftuar, ndërsa vëmendje tërhoqën partnerja dhe vajza e Floyd, të cilat u shfaqën të pikëlluara.