INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Gianni De Biasi: Më gëzon vetëm fitorja

Gianni De Biasi: Më gëzon vetëm fitorja

Publikuar më: 19:27 05-10-2016

Një ditë para ndeshjes së rradhës e vlefshme për kualifikueset e Botërorit, trajneri Gianni De Biasi ka folur për gazetarët në konferencën për shtyp. Profesionist në pankinë, profesionist edhe në mikrofon, tekniku italian është shprehur se kundërshtari duhet të vlerësohet në maksimum, edhe pse është një skuadër modeste.

Në fjalën e tij De Biasi u kujdes të theksonte disa herë se djemtë e tij duhet të jenë me këmbë në tokë dhe ta konsiderojnë seriozisht këtë 90 minutësh me fokusin vetëm te sfida e së enjtes. Ai e pranoi se ka studiuar çdo detaj të Lihtenshtejnit pasi është një skuadër shumë e mirë dhe me lojtarë cilësorë.

“Çdo skuadër ka mundësi të krijojë rreziqe. Ne kemi punuar për të limituar në masimum rrezikun përballë portës tonë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përqëndruar dhe të shfrytëzojmë rastet që do të krijojmë gjatë ndeshjes. Duhet të kërkojmë të jemi më të zotët se kundërshtari dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë sepse ndeshjet nuk fitohen pa nisur ende. Skuadra arrin të fitojë kur është e përqëndruar dhe kur luan shpejt. Kur jemi në këto parametra atëherë mund të vëmë në vështirësi çdo kundërshtar”.

Sadiku është mungesa më e madhe në grupin kuqezi, por De Biasi shikon përtej këtij problemi duke theksuar se skuadra që ka në dispozicion do të punojë për ta plotësuar sa më shumë boshllëkun që ka lënë bomberi i Zyrihut.

“Sadiku ishte në formë shumë të mirë. Ka shënuar në Europa League dhe me Maqedoninë. Ishte i rëndësishëm dhe më vjen keq për të. Shpresoj të rikuperohet sa më shpejt por do të bëjmë gjithçka për të mos e ndier mungesën e tij”.

Pavarësisht kuriozitetit të gazetarëve të pranishëm në konferencën e shtypit, De Biasi nuk dha pika referimi përsa i përket formacionit që do të hedhë në fushën e lojës.

“Do të kërkojmë të hedhim në fushë skuadrën e duhur pëe të vendosur në vështirësi kundërshtarët. Shpresoj që lojtarët të jenë në 100 % të formës dhe të luajnë një ndeshje me nivel. Do të bëj disa ndryshime sepse do të luajmë dy ndeshje të rëndësishme dhe më duhet të vlerësoj cdo detaj. Besoj se duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të menaxhuar forcat”.

Itali-Spanjë është sfida tjetër e rëndësishme e grupit, por për De Biasin pak rëndësi ka kjo ndeshje, ai është i fokusuar tërësisht te Lihtenshtejni. Një mesazh që kërkon ta ngulitë mirë në mendje çdo lojtar shqiptar. Sfida e së Enjtes është shumë e rëndësishme.

“Itali-Spanjë është gjëja e fundit që më shkon në mend. Duhet të përqëndrohemi te ndeshja jonë sepse rrugëtimi jonë varet nga ne dhe jo nga ajo që bëjnë kundërshtarët. Çfarë ndodh në Itali pak më intereson, shpresoj që Spanja të lodhet sa më shumë”.

Dhe si për ta ilustruar sa më mirë këtë mendim, i pyetur në fund nëse do të firmoste për një fitore minimale ndaj Lihtenshtejnit, ai përgjigjet qartësisht…menjëherë!

Article Logic
Execution time: 0.0036451816558838