INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Gjermani: Ish burgu kthehet në hotel

Publikuar më: 10:45 25-01-2016

Të kalosh natën pas hekurave të një qelie burgu, ndoshta nuk është ideja më e mirë për një gjumë të rehatshëm.

Por një ish burg i rinovuar në Berlin, që është kthyer tani në hotel, premton pikërisht këtë gjë, një gjumë të ëmbël.

Hoteli quhet “The Other House VIII”, “Shtëpia Tjetër 8”. Pesë dhomat e tij të gjumit  kanë qënë dikur qeli për të burgosurit gjatë viteve të komunizmit në Republikën Demokratike Gjermane.

Pesë qelitë e burgut në hotelin “Shtëpia Tjetër 8” janë tanë gati për turistët.

Ndërtesa ndodhet në gjirin piktorest pranë lumit Spree, vetëm pak kilometra nga qendra e Berlinit.

Hoteli është pjesë e një ndërtese më të madhe, të ndërtuar në vitin 1879 dhe që shërbente për strehim publik.

Më pas nazistët e përdorën atë për një kategori të burgosurish, të quajtur “anti-socialë”,  si prostitutat dhe homoseksualët.

Pas Luftës së Dutë Botërore ndërtesa shërbeu si burg gjatë viteve të regjimit komunist në Gjermaninë Lindore nga 1949 – 1990.

Von Schencks, një familje me origjinë nga Gjermania Perendimore, e bleu ndërtesën në vitin 2006 dhe e rinovoi atë.

Ndërtesa dy katëshe u shndërrua në tre apartamente dhe një hotel me pesë dhoma, dikur qeli.

Koncepti i familjes von Schencks ishte që çdo gjë në dhoma të mund të lëvizej për të krijuar një atmosferë të lirë dhe individualiste, e kundërta e konceptit të qelive.

Kështu krevatët dhe garderoba janë me rrota, abazhurët kanë tela të gjatë që klientët mund t’i lëvizin nëpër dhomë.

Ata përdorën materiale si tulla, gurë dhe hekur si kujtesë të kohës kur ndërtesa ishte burg.

“Po mendonim si ta strukturonim këtë burg. Duhet të kishte banjë, ndriçim, lëvizje dhe hapësirë”, thotë pronarja 68 vjecare Huberta Bettex von Schenck.

“Prandaj morëm këta abazhurë dhe këta krevatë të ndërtuar me porosi. Dritaret u hoqën për të lejuar dritën të hynte brenda. Kjo ishte idea jonë e rinovimit që iu përputh konceptit të ndërtesës.”

Në katin e nëndheshëm, një dhomë i dedikohet kujtimit të të burgosurve dhe quhet “dhoma e heshtjes”.

Në njërën anë të dhomës ka një karrige në kujtim të të burgosurit të panjohur, e cila lihet gjithmonë bosh.

Në anën tjetër, telat me gjemba janë vendosur pranë një qiriu nën një kryq të hekurt në mur.

Dhoma përdoret ndonjëherë për mbrëmje apo gëzime familjare që e mbushin atë me jetë, pa harruar historinë.

“Dhoma e heshtjes ishte shumë e rëndësishme për ne pasi historia e ndërtesës peshon kaq shumë mbi ne saqë duhej një dhomë ku mund të shpjegonim historinë, në mënyrë që të ishim të lirë të mos mendonim për të në pjesën tjetër të shtëpisë”, thotë von Schnenck.

Shumica e klientëve vijnë nga pjesa perendimore e Gjermanisë, si 69 vjeçarja Wilmar Viethen.

Ish mësuesja e pa hotelin kur po shëtiste zonën ku jeton e bija.

Duke patur interes të madh tek historia, ajo ishte kurioze të qëndronte dy netë në një ndërtesë që kishte patur lidhje direkte me ngjarjet e së kaluarës.

“Ishin kohë të këqija. Tani ndërtesa ka një qëllim tjetër, kohët e këqija janë prezente, por jo më të frikshme. Ajo kohë është në mendje si kujtesë, dhe mendoj se ka një vlerë pozitive për historinë. Ndjihem e gëzuar tani këtu, pavarësisht të kaluarës,” thotë ajo.

Por nuk janë vetëm turistët e interesuar për historinë, që shkojnë atje. Ish të burgosurit shkojnë për të kujtuar të kaluarën.

Që nga viti 1999, 68-vjeçari Hartmut Richter ka qënë guidë turistike në Memorialin Berlin-Hohenschonhausen, një ish burg i Stasit, kur ai vetë ishte burgosur.

Richter u largua nga Gjermania Lindore në Berlinin Perendimor në gusht të vitit 1966, me not përmes kanalit Teltow.

Në fillim të viteve 1970 ai filloi të ndihmonte miqtë dhe të afërmit të largoheshin nga ai regjim duke i kaluar fshehurazi përmes kufirit me makinën e tij.

Deri në vitin 1975 ai ndihmoi 33 vetë të arratiseshin. Por më 4 mars të vitit 1975, ai u arrestua dhe u burgos me 15 vjet.

Fillimisht u dërgua në burgun e Stasit në Berlin dhe më pas u transferua në burgun Rummelsburg.

Ai nuk kreu të gjithë dënimin, pasi në tetor të vitit 1980, qeveria e Gjermanisë Federale pagoi për lirimin e tij.

Richter shpjegon se trajtimi në burgun e Stasit ishte më i rëndë nga ai në Rummelsburg.

“Kur më prunë në Rummelsburg dhe dola nga makina – ishte si parajsë. Nuk isha më në birucë. Çdo gjë ishte shumë e ngushtë në burgun e Stasit. Gjithashtu këtu mund të ecje, qelitë ishin më të mëdha. Mund të shihje nga dritarja, të shihje pak qiell.”

Pas rinovimit, familja von Schenck i shiti një apartament Sam Masichit, një instruktor joge dhe gruas së tij.

Ai është i kënaqur me sipërfaqen në këtë zonë të qetë të qytetit dhe nuk e ka problem historinë e ndërtesës.

“Në fakt mendoj për gjërat që kanë ndodhur këtu. Takova dy të burgosur që kanë jetuar këtu dhe dëgjova historitë e tyre. Ishin interesante por ndërtesa nuk është përgjegjëse për ato që bëjnë njerëzit. Njerëzit janë përgjegjës. Kështu që ndërtesa është e imja për ta shijuar.”

Dera origjinale e burgut mbahet tani në kopshtin e shtëpisë. Të gjithë ftohen të hyjnë aty por tani ata mund të largohen kur të duan.

Article Logic
Execution time: 0.0076131820678711