Ndeshja mes Gjermanisë dhe Polonisë nuk ka përfunduar ashtu siç e prisnim, pasi ishte parashikuar si një ndeshje që do të dhuronte spektakël dhe gola. Pavarësisht se rastet ekzistuan, asnjë prej tyre nuk u konkretizua në gol, duke u bërë kështu ndeshja e parë që përfundon pa gola në këtë Europian.
Skuadra kampione e botës e pati shumë të vështirë për të depërtuar në zonën polake duke krijuar shumë pak mundësi shënimi në pjesën e parë. Polonia e nisi pjesën e dytë me një aksion perfekt ku Milik kishte mundësinë më të mirë për të shënuar golin e dytë personal në këtë kompeticion, por nuk e realizoi. Pas këtij barazimi Gjermania dhe Polonia kanë nga katër pikë dhe ndajnë bashkë vendet e para. Irlanda e Veriut ka 3 pikë, ndërsa Ukraina 0 pikë.