INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Gjithçka që “interneti” nuk ju sqaron dot për tërmetet

Gjithçka që “interneti” nuk ju sqaron dot për tërmetet

Publikuar më: 13:39 12-09-2016

Blog nga Ervin Kasaj
D.Sizmologjisë, Monitorues

Gjatë trajnimit tim në Gjermani kam përjetuar vërtet  çfarë do të thotë  një tërmet i madh. Pjesë e trajnimit ne Potsdam, Berlin ishte koha që kalonim në një dhomë ku specialistët trajnoheshin duke i “detyruar” të përjetojnë një tërmet me magnitudë mbi 6 të Shkallës Rihter. Mendoj se shumë njerëz tek ne nuk e kanë përjetuar një tërmet të madh, pasi i fundit i këtyre përmasave ka ndodhur më 15 prill 1979. Prandaj, po shkruaj për ata që duan të kuptojnë përse tërmeti vret dhe shkatërron.

Tërmetet nuk mund të parashikohen, por si mund të mbrohemi?

Shqipëria është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Europë.  Vendi ynë bën pjesë në Ballkan dhe dihet që Ballkani është një zonë me aktivitet të lartë sizmik. Në zonën mesdhetare ndodhin rreth 15% e tërmeteve në botë, ndërsa pjesa tjetër, rreth 80% e tërmeteve, ndodhin në unazën e Paqësorit. Pikërisht kjo është arsyeja që vendi ynë shpeshherë goditet nga tërmetet. Shkaku i tyre është përplasja e mikropllakave të Adriatikut, të cilat janë pjesë e dy pllakave të mëdha kontinentale, që janë pllaka Afrikane dhe pllaka Euroazitike. Si pasojë e lëvizjes, ato goditen në buzët e tyre dhe tensionojnë, sforcojnë, pjesët e brendshme dhe për pasojë në ato pjesë ku nuk mbahet ky sforcim, atëherë toka në ato pjesë këputet dhe ndodh ai që e quajmë tërmet. Studimet Sizmologjike në Shqipëri realizohen nga Departamenti i Sizmologjisë i Institutit të Gjeoshkencave, i cili është pjesë e UPT-së. Pjesë përbërëse e këtij departamenti është Rrjeti Sizmologjik Shqiptar (ASN), Rrjeti Shqiptar i Lëkundjeve të Forta (ASMN), si dhe Rrjeti Gjeodinamik (GNSS). Këto rrjete janë të vetmet me anën e të cilave realizohet monitorimi dhe studimi i aktivitetit sizmik në Shqipëri. Një nga detyrat kryesore të këtij departamenti është informimi në kohë reale i opinionit publik dhe organizmave shtetërore në rastet kur ndodhin tërmete të fortë në vend. Aktualisht, Rrjeti Sizmologjik Shqiptar është i përbërë nga 13 stacione të pajisura me instrumente të ndryshëm dixhitalë, kurse Rrjeti Shqiptar i Lëkundjeve të Forta disponon 34 stacione dixhitalë (16 akselerografë të tipit SMA-1 të përshtatura me teknologji digjitale, 10 sisteme CMG-5TD dhe 8 sensorë CMG-5T) të shpërndara në qytete të ndryshme të vendit. Një sistem i ri dixhital i cili përdor komunikimin satelitor (VSAT) është tashmë në operim si pjesë e rrjetit tonë sizmologjik.

Mini-tërmetet ndodhin gjatë gjithë kohës në të gjithë territorin e Shqipërisë, kjo pasi vendi ynë është një territor aktiv. Statistikat kanë treguar se tërmetet me magnitudë 4.5 janë të shpeshta maksimumi dy herë në vit, minimumi njëherë, ndërsa tërmetet mesatare 5 deri në 5.5 ndodhin njëherë nga 2 deri në 5 vjet. Tërmetet e forta, ato mbi 5.5 janë tepër të rrallë, kërkojnë dekada, mbi 10 vjet. Kjo për një arsye fare të thjeshtë, sa më i madh të jetë tërmeti aq me shumë energji akumulohet, dhe aq më shumë kohë do që të ndodhë.

Çfarë ndodhi dje…

Të vijmë te aktiviteti sizmik i djeshëm në Maqedoni, ku të bën përshtypje mënyra e trajtimit nga mediat. Informacioni i parë është shumë i rëndesishëm dhe duhet dhënë i saktë. Gjithashtu, edhe të dhënat duhen të jenë të sakta, pasi qytetarët duhet të informohen mirë dhe i pari informacion merret në Institutin e Gjeoshkencave, departamenti i sizmiologjise, ose tek emergjenca civile pasi në raportojmë në kohë reale. Tërmetet klasifikohen në bazë të magnitudës së tyre ose energjisë që ato çlirojnë. Të dhënat parametrike, vlerësohen në mënyrë të pandërprerë nëpërmjet monitorimit sizmologjik, 24 orë në 24 dhe bazohen në analizën sasiore të regjistrimit instrumental valor. Llogaritja e vlerave të tyre është produkt i aplikimit të metodave analitike të njohura, në mënyrë interaktive, të aplikuara në programe llogaritëse të çertifikuara dhe të njohura globalisht. Kështu, për përcaktimin e të dhënave kohore valore hyrëse përdoret programi Atlas, ndërsa lokalizimi i tërmeteve kryhet nëpërmjet programit Hypoinverse. Vlerësimi i magnitudës realizohet duke aplikuar modele të njohur parametrik si: ai Richter & Gutenberg (1956) dhe Eaton (1992). Nuk mund të merret informacion nga celulari nga disa aplikacione te shkarkuara ose nga disa faqe online, pasi shpërndahet informacion i gabuar. Një shembull, çfarë me ka ndodhur njëherë gjatë orarit të punës në Institut. Gazetari i një Televizioni më telefonon dhe më thotë që ka rënë tërmet në Tiranë dhe kërkon informacion më të detajuar, pasi lajmin e kishte parë nëpër portale online. Por, është krejt e kundërta, sepse nuk kishte pasur asnjë tërmet. Po marr rastin e djeshëm, nuk ekziston Tërmet 5.4 ballë ose Termet 5.4 ballë te shkallës Rihter, ose ishte një tërmet vertikal. Tërmetet nuk maten me këto parametra. Tërmeti i djeshëm 4 Km Lindje të Shkupit ishte me magnitudë 5.2 i Shkalles Rihter, ku ndjeshmëria në epiqendër ishte VI ballësh të shkallës MSK-1992. Intensiteti i kësaj ngjarjeje sizmike ishte 5.2 i shkallës Rihter dhe po kaq ngelet si në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë dhe nëpër botë kur ndjeshmëria ose ballët ndryshon në epiqëndër, VI ballësh të shkallës MSK-1992 duke u larguar nga epiqendra dhe duke zvogëluar ndjeshmërinë. Raportimi i pasaktë krijon panik te qytetarët, prandaj informacioni i parë është shumë kryesor, pasi njerëzit duhet të dinë çfarë po ndodh. Nëse i informon, që epiqendra e tërmetit është larg zonës së tyre të banimit, ata duhet të qetësohen. Nëse e kanë afër, edhe nëse ka intensitet më të ulët, duhet të marrin masa.

Panik nga tërmeti

Qytetarët duhet të dinë se pas nje aktiviteti sizmik, sidomos me magnitudë mbi 4 ose më shumë në  99 përqind të rasteve, shoqërohen më pas me pasgoditje. Po marr rastin e tërmetit në Itali më 24 gusht 2016 me magnitude 6.2 te shkallës Rihter, i cili  është shoqëruar pas 10 minutash me një tjetër tërmet me magnitud 4.2 të shkallës Rihter dhe pas 20 minutash me tërmet 5.2 të shkallës Rihter, ku deri më sot janë regjistruar më shumë se 1000 tërmete. Kjo  do të thotë, se dhe pasgoditjet janë po aq të rrezikshme se tërmeti i parë, në të shumtat e rasteve dhe këto vijnë duke u ulur. Gjatë një tërmeti, duhet ruajtur qetësia e para, uluni menjëherë në dysheme dhe mblidhini duart dhe krahët, përpara se tërmeti t’ju rrëzojë, duke u ulur poshtë një tavoline, apo poshtë ndonjë mobiljeje që nuk mund të rrëzohet mbi ty. Kur nisin lëkundjet, gjëja më e mirë që duhet të bëni, është të mos lëvizni nga njëra dhomë në tjetrën, dilni me kujdes nga banesa pas tërmetit.

Pse ndodhin tërmetet?

Toka jonë është planet në zhvillim dhe proceset e ndryshme natyrore janë të vazhdueshme dhe të pandalshme. Veprimtaria e tyre shkatërrimtare ka bërë që njeriu të thellohet në studimet e tyre për të arritur që të bëjë parashikime të mundshme për të minimizuar dëmet, të paktën për të kursyer jetë njerëzish. Në Shqipëri, rreth 40 vjet më parë u krijua Instituti i Sizmologjisë ku sot mban emrin Insituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit. Në Shqipëri kanë ndodhur shumë tërmete. Ato janë studiuar nga specialistët sizmologë dhe janë rajonizuar zonat me sizmicitet të lartë dhe mesatar. Në hartën e intensiteteve maksimale janë dalluar zonat me intensitet të vrojtuara maksimalisht IX,VIII,VII dhe VI ballësh të shkallës MSK-1992. Zonat IX ballëshe janë zona të vatrave të tërmeteve të fuqishëm. Intensiteti maksimal i të cilave ka qenë IX ballë (ose më shumë). Tërmetet nuk mund të parashikohen, po duke qenë të përgatitur nga rajonizimet e kryera, mund të merren masa efektive, për të mos pasur katastrofa të dhimbshme. Profesorët me punën e tyre kanë përgatitur hartat sizmike për të shprehur rajonizimin e sizmicitetit në Shqipëri, duke evidentuar zonat më të rrezikshme për tërmete, ose për t’u treguar konstruktorëve të ndërtimit se duhen marrë masa konstruktive për t’u bërë ballë dukurive të mundshme të tërmeteve.

Article Logic
Execution time: 0.0039680004119873