INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Gjuha shqipe bëhet gjuhë zyrtare në Maqedoni mes tensionesh, vijnë reagimet e para

Gjuha shqipe bëhet gjuhë zyrtare në Maqedoni mes tensionesh, vijnë reagimet e para

Publikuar më: 19:52 14-03-2018

Nën një atmosferë tejet të tensionuar, Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar sot ligjin për përdorimin e gjuhëve, me 64 vota pro dhe asnjë kundër, pa shqyrtuar aspak amendamentet e opozitës VMRO-DPMNE.
Votimit i ka paraprirë një tension mes deputetëve të opozitës, që u ngrit deri në një zënkë mes Nikolla Gruevskit dhe kryeparlamentarit shqiptar të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar pas votimit në Kuvendin e Maqedonisë për futjen e gjuhës shqipe si zyrtare.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Meta ka përshëndetur vendosmërinë e Parlamentit të Maqedonisë, ndërsa e quan si një akt të rëndësishëm historik.

Reagimi i Metës:
Përshëndes vendosmërinë për miratimin e ligjit të përdorimit të gjuhës shqipe nga Parlamenti i Maqedonisë, si një akt i rëndësishëm historik e me rëndësi madhore, jo vetëm për shqiptarët por edhe për të ardhmen europiane të Maqedonisë. Urime!

Edhe Partia Demokratike ka përgëzuar miratimin e ligjit të gjuhës shqipe ditën e sotme në Parlamentin e Maqedonisë. Sipas PD, votimi i këtij ligji është një hap përpara në krijimin e një klime bashkëjetese midis komuniteteve etnike në Maqedoni.

DEKLARATA E PLOTË:
Partia Demokratike përshëndet votimin në Parlamentin e Maqedonisë të ligjit të gjuhës shqipe. Ky votim është nje hap përpara në krijimin e një klime të mirë bashkëjetese midis komuniteteve etnike në Republikën e Maqedonisë.
Partia Demokratike përshëndet faktorin politik shqiptar në Maqedoni dhe nxit e inkurajon bashkëpunimin politik mes tij për realizimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit.
Partia Demokratike mbështet një Maqedoni stabile dhe të integruar në strukturat euroatlantike si interesi më i mirë i stabilitetit dhe përparimit të rajonit drejt integrimit europian dhe euroatlantik.

Vendimi historik që mori sot Parlamenti i Maqedonisë për ligjin e gjuhës shqipe, është përshëndetur nga sekretari i përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla.

Në mesazhin e tij në Facebook, Balla thekson se kjo arritje për shqiptarët është një hap i madh për Maqedoninë. “Me 64 vota për (pro), u miratua në lexim të tretë dhe përfundimtar, Ligji i Gjuhës Shqipe në Maqedoni. Një arritje historike për shqiptarët, një hap i madh europian për Maqedoninë“, shkruan Balla.

Ndërsa Ditmir Bushati e ka cilësuar një arritje të rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë.

Postimi i Bushatit

GJUHA SHQIPE NË MAQEDONI!

Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga Parlamenti pas refuzimit të Presidentit dhe sjelljes obstruksioniste të segmenteve të caktuara të politikës së vjetër në Maqedoni përbën një arritje të rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë.

Finalizimi i kësaj sipërmarrje të vështirë dhe këmbëngulja e demonstruar pavarësisht pengesave të panumërta është dëshmi e pjekurisë politike dhe mirëkuptimit ndëretnik.

Zbatimi i duhur i ligjit dhe vendosja e mekanizmave të monitorimit garanton një akses më të mirë e më të drejtë në shërbime dhe një përfshirje të shqiptarëve në mirëqeverisje, politikat zhvillimore dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur, pa mure ndarëse, e të bazuar në vlerat europiane.

Article Logic
Execution time: 0.0037760734558105