INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Gjykata e Stasbugut pro pronarëve shqiptarë. Dëmi i ri 10 milion euro!

Gjykata e Stasbugut pro pronarëve shqiptarë. Dëmi i ri 10 milion euro!

Publikuar më: 15:52 17-03-2016

Me qinda çështje pronësi janë duke u gjykuar në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dhe shumë nga to janë fituar. Pronarët shqiptarë së fundmi kanë fituar disa çështje dhe shuma e fundit që “dënon” përsëri shtetin shqiptar është rreth 10 milionë e 700 mijë Euro. Gjykata ka publikuar vendimin e emërtuar “Rista kundër Shqipërisë” ku përfshihen 7 çështje, në të cilat ashtu si në çështjet e mëparshme, individë të ndryshëm janë ankuar për mosekzekutimin e vendimeve për kompensim të pronës, të cilat janë dhënë në favor të tyre në periudha të ndryshme nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave.

ABC news thekson se sipas vendimit, ku përfshihen 7 çështje, Gjykata Europiane ka vendosur që qeveria shqiptare të paguajë në favor të pronarëve një shpërblim që kap shumën prej 10 milionë e 700 mijë Eurove. Ky shpërblim duhet të ekzekutohet nga qeveria shqiptare brenda një periudhe tremujore dhe me kalimin e këtij afati, për vonesën e ekzekutimit paguhen penalitete.
Ky vendim i Gjykatës Europiane vjen pak muaj pas vendimit të datës 10 Nëntor me të cilin shteti shqiptar u penalizua në një shumë prej më shumë se 5 milionë Euro. Vlera e shpërblimit e dhënë me vendimin e 17 Marsit është më e lartë se vendimet e tjera të mëparshme dhe godet rëndë financat shqiptare, të cilat po përballen me problem të shumta për shkak të mosrealizimit të të ardhurave, rritjes së nivelit të borxhit, investimeve në nivele të ulëta, etj.
Gjithashtu ky vendim zbeh shpresat e autoriteteve shqiptare, të cilat kanë deklaruar dhe besuar se me miratimin e ligjit të ri të pronave, Gjykata e Strasburgut do të ndërpriste dhënien e vendimeve për kompensim të pronave kundër Shqipërisë dhe do të kthente mbrapsht çështjet e regjistruara.
Ligji i ri i pronave u miratua nga parlamenti vetëm me votat e maxhorancës, e cila rrëzoi dekretin e presidentit të Republikës që kthente ligjin për rishqyrtim. Pas këtij miratimi, ligji është kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese nga Presidenti i Republikës, opozita dhe shoqata e pronarëve me argumentin kryesor se duke ndryshuar mënyrën e vleresimit të pronës për efekt kompensimi cënon parimin e sigurisë juridike. Çështja nuk është marrë akoma në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.

Article Logic
Execution time: 0.0035998821258545