INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Gjyqtarët ankimojnë Vettingun në Kushtetuese. Gjykata pranon kërkesën

Gjyqtarët ankimojnë Vettingun në Kushtetuese. Gjykata pranon kërkesën

Publikuar më: 16:45 07-06-2017

Shoqata dhe Unioni i Gjyqtarëve kanë ankimuar sërish në Gjykatën Kushtetuese ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Në kërkesën e Unionit dhe Shoqatës së Gjytarëve thuhet se disa nene që përcaktojnë kushtet e përzgjedhjes së anëtarëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, bien ndesh me Kushtetutën e vendit. Konkretisht, kërkohet nga Kushtetuesja shfuqizimi i nenit 7, pika A dhe C, ku përcaktohet se gjyqtarët në kohën e kandidimit për Këshillin e Lartë Gjyqësor duhet të kenë ushtruar funksionin e gjyqtarit për të paktën dhjetë vjet dhe të jenë të vlerësuar “shumë mirë” në dy vlerësimet e fundit të performancës etike dhe profesionale. Po kështu kërkohet edhe shfuqizimi i pikës 1 të nenit 59, ku thuhet se kryetari dhe zv.kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor zgjidhen në mbledhjen e parë të KLGJ-së nga radhët e anëtarëve që nuk janë gjyqtarë dhe me shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve. Këtu, gjyqtarët kërkojnë që të hiqet fjala “zëvendëskryetari”. Gjyqtarët kërkojnë gjithashtu ndryshim edhe në pikën 8 të nenit 62, ku thuhet se Komisioni i Planifikimit Strategjik dhe Administrimit të Buxhetit përbëhet nga dy anëtarë jogjyqtarë dhe një anëtar gjyqtar. Ata kërkojnë që të hiqen fjalët “dy anëtarë jogjyqtarë dhe një anëtar gjyqtar”. E njëjta gjë kërkohet edhe për pikën 13 të nenit 62, që përcakton shqyrtimin e ankimimeve të vendimeve të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë. Kërkesa e Unionit dhe Shoqatës së Gjyqtarëve është bërë që më datë 25 maj dhe mësohet se është pranuar nga Gjykata Kushtetuese.

Article Logic
Execution time: 0.0051560401916504