Vezët që ju hodhën kryeministrit Edi Rama nga ana e deputetit demokrat Endri Hasa janë komentuar në forma të ndryshme nga studentët, që kishin dalë sot para Parlamentit. Disa shprehen se do e kishin bërë vetë një akt të tillë, e të tjerë thonë se veprimi i deputetit, që e shiti si akt në mbrojtje të kauzës studentore, nuk i përfaqëson.
“E drejta do të ishte që ne studentët të shkonim t’ia hidhnim atë vezë kryeministrit sepse nga ne duhet të marrë përgjigjen ai”, thotë një student.
“Ai mirë ka vepruar por e ka bërë për veten e tij. Përderisa ne nuk i kemi pranuar në protestën tonë s’ka se si të gjuaj ai në emrin tonë”, shprehet një student tjetër.
“Ne nuk e mbështesim atë veprim pasi ne nuk kemi ndërmarrë asnjëherë akte dhune ndaj kryeministrit”, shprehet një studente.
“I them PD-së falemdnerit që i shpëtoi mandatet e veta. Kërkesat tona akoma nuk po plotësohen”, thotë një studente.
Po si do të vijojë protesta e studentëve, ndërkohë që po afrohen festat dhe zyrtarët marrin pushimet?
“Edhe nesër kemi protestë më pas do i japim kohë qeverisë të reflektojë. Më pas nuk do të ndryshojë asgjë, ne do të vazhdojë prap në janar”, shprehet një i ri.
“Dy mendime janë, për rezistencë deri në fund dhe mendimi tjetër është që të kemi një shkëputje që t’i japim kohë studentëve që të pushojnë”, shprehet një tjetër.
Sot para Parlamentit kishte dhe qytetarë të cilët protestonin për problemet e veta, siç dhe ky burrë që ka treguar kuletën bosh. “Jemi të papunë, unë kam dal për veten time, jam në hall të madh ekonomik. Më ka mbaruar vajza e madhe shkollën e mesme dhe ka dy vjet në shtëpi, nuk e çoj në shkollë”, thotë ai.
Protestës së studentëve i janë bashkuar sot edhe banorët e Astirit, të cilët hodhën dhe tymuesa në hyrje të Parlamentit.