Operacioni i policisë, i koduar “Patriot” për kapjen e e një prej të dyshuarve si autorë të bandës së grabitjeve të ndodhura në Qafën e Kasharit, vijon në zonën e Dibrës.
Policia e Shtetit njoftoi se forcat RENEA, ato të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forcat e posaçme operacionale të policisë së Dibrës, janë duke kontrolluar imtësisht në pyll dhe zona të braktisura në Zall-Dardhë, Can, Tartaj dhe Lashkiz.
Këto kontrolle u ndërmorën pas informacioneve të grumbulluara se në këtë zonë mund të fshihet Admir Murataj, emri i të cilit ka dalë pas arrestimit të katër personave një ditë më parë si pjesë e grupit të strukturuar kriminal, autor i disa grabitjeve të shumave të mëdha të parave.