INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Grabitja në Rinas, LSI e PD kërkojnë mbledhjen e Komisionit të Sigurisë

Grabitja në Rinas, LSI e PD kërkojnë mbledhjen e Komisionit të Sigurisë

Publikuar më: 15:19 01-07-2016

Grabitja në aeroportin e Rinas ka sjellë reagime të ashpra dhe të klasës politike shqiptare. Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike kanë qënë njëzëri, kur kërkuan mbledhjen e menjëhershme të Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Në emër të LSI Luan Rama thotë se grabitja ndodhi në një kohë kur një ditë më përpara Ministria e Brendshme lajmëroi masat shtesë të sigurisë.
Luan Rama:
“Ngjarja në Aeroportin ‘Nënë Tereza’ në Rinas është dëshmia e mungesës së angazhimit dhe seriozitetit në përmbushje të detyrimeve kushtetuese për garantimin e rendit dhe të sigurisë kombëtare. Nuk arrij të kuptoj se çfarë tjetër duhej të ndodhte më shumë se grabitja në mes të ditës në pistën e aeroportit që të tundet shteti e të vihen përpara përgjegjësisë të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare, të cilat janë sfiduar për të disatën herë në këtë mënyrë. Por ngjarja e djeshme është padyshim më e rënda se ndodh në një kohë kur Ministria e Brendshme flet për masa shtesë të sigurisë në të vetmin aeroport ndërkombëtar që kemi, menjëherë pas tragjedisë që ndodhi pas sulmit terrorist në Aeroportin e Stambollit. Cilat janë masat shtesë që banditët të hynin, të bënin çfarë deshën e të dilnin qetë-qetë sikur po dilnin nga një kafene rruge? Është e pafalshme, është e patolerueshme”!
Por për opozitën, grabitja në Rinas nuk mund të bëhej pa mbështetjen e policisë. Kreu grupit parlamentar demokrat Edi Paloka, tha se krimi tashmë hyn me lehtësi deri në shkallët e avionit, duke marrë miliona euro.
Edi Paloka:  
“Ngjarja e djeshme në Rinas është dëshmi e shkallmimit të çdo standardi sigurie në vend dhe konfirmim se Shqipëria dhe shqiptarët janë më të ekspozuar se kurrë nga krimi. Persona të armatosur dhe me maska shkuan deri tek shkallët e avionit dhe morën me dhunë miliona euro. Pa bashkëpunimin e një shefi të madh asnjë grabitës nuk do të mund të bënte atë që ndodhi dje. Gjendja është katastrofike. Në kohën kur alarmi për terrorizmin është në kulmin e vet dhe kur të gjithë shtetet kanë marrë masa mbrojtëse, në kontrast të plotë në vendin tonë ka rënë çdo standard i sigurisë”.

Article Logic
Execution time: 0.0038058757781982