Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka bërë të ditur formulën me të cilën Greqia do të heqë dorë përfundimisht nga ligji i luftës me Shqipërinë, që formalisht është në fuqi që prej nëntorit 1940.
“Do të kemi një dekret presidencial për abrogimin e gjendjes së luftës që është një skizofreni historike,”-ka deklaruar Kotzias gjatë konferencës për shtyp në përfundim të takimit me grupin e Vishegradit në Athinë’’.
Kotzias gjithashtu ka bërë të ditur se në paketën që pritet të finalizohet me Shqipërinë, do të ketë dhe një marrëveshje për kufirin tokësor.
Ministri i jashtëm grek i ka vlerësuar pozitivisht takimet e para të grupeve negociatore për marrëveshjen mbi zonat detare.
“Besoj se takimet e ardhshme që janë planifikuar do të çojnë në një marrëveshje të drejtë, mbi bazën e legjislacionit ndërkombëtar. Jam optimist për këtë marrëveshje” ka deklaruar Kotzias.
Kotzias ka shpjeguar edhe arsyen e mosrealizimit të vizitës së kryeministrit grek Aleksis Tsipras në Shqipëri, që ishte pritur të ndodhte në fillim të prillit.
“Udhëtimi i kryeministrit do të ishte bërë më herët nëse procedura e marrëveshjeve nuk do ishte vonuar me problemin kushtetues që rezultoi në Shqipëri midis qeverisë dhe presidentit”
Kotzias tha se kjo vizitë do të realizohet.