Viti 2018 pritet të jetë viti që do të zgjidhë çështjet që kanë tensionuar marrëdhëniet Shqipëri-Greqi. Marrëveshja për detin Shqipëri-Greqi, nuk i jep asnjë pale avantazhe, për këtë flet ligji ndërkombëtar i detit.
Shqipëria dhe Greqia po ecin drejt një kapitulli të ri në marrdhëniet mes tyre. Dy vendet fqinjë, me një histori të trazuar që nga Lufta e Dytë Botërore, po negociojnë një paketë marrëveshjesh mes tyre. Ka vullnet politik dhe shpresë nga të dyja palët se viti 2018 do të zgjidhë ҫështjet që kanë tensionuar dhe helmuar marrëdhëniet mes tyre për më shumë se 70 vjet. Perspektiva europiane e Shqipërisë, paqja dhe stabiliteti në rajon janë karburanti drejt këtij kapitulli të ri.
Dy kryeministrat, Edi Rama dhe Aleksis Tsipras, shfaqen në një linjë kur, pas takimit të tyre në Samitin e Londrës, në kuadër të Procesit të Berlinit, shprehën bindjen se "së shpejti mund të arrihen zgjidhje pozitive për këto ҫështje." Dhe fjala është për një paketë ҫështjesh në tri drejtime: e shkuara, e tashmja, e ardhmja mes dy vendeve dhe popujve.
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditimir Bushati është optimist për rezultatet e negociatave lidhur me Marrëveshjen e Detit.