Ka ndryshuar vendimi i shtetit grek për të hapur kufijtë me Shqipërinë më 15 korrik, siç ishte deklaruar më parë.
Ministri grek i Turizmit ka deklaruar ditën e sotme se shtatë pikat kufitare tokësore greke do të hapen për turistët më datë 1 korrik.
Vendimi vlen për Ballkanin Perëndimor dhe është marrë pas propozimit të Komisionit Europian për hapjen e kufijve të Bashkimit Europian.
Ndërkohë Top Channel bën me dije që fluturimi që është planifikuar për në datën 15 qershor Tiranë-Athinë, nuk do të anulohet pasi bllokimi është bërë vetëm për turistët.
“Personat që kanë leje qëndrimi nuk bëjnë pjesë në këtë vendim, ata do të lejohen”, shkruan Top Channel.
Brukseli përcaktoi të enjten planet për të rihapur plotësisht kufijtë e brendshëm të Bashkimit Evropian më 15 qershor dhe të lejojë udhëtarët nga vendet e Ballkanit të hyjnë në union nga 1 korriku.
Rekomandimi për 27 vendet anëtare të BE-së vjen pasi kufizimet e vendosura për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit janë lehtësuar dhe qeveritë kombëtare kërkojnë të rifillojnë turizmin në kohë për sezonin e pikut të verës.