Manchester United është gati të bëjë sërish çmenduri në merkaton e transferimeve. Këtë radhë, në shënjestrën e “djajve të kuq” është vënë sulmuesi i Atletico Madrid, Antoinne Griezmann.
Lajmi publikohet nga e përditshmja britanike “The Independent”, sipas së cilës klubi anglez ka shfaqur gatishmërinë për të paguar 100 milionë euro për francezin, shifër kjo që përkon me vlerën e klauzolës për zgjidhjen e kontratës së futbollistit.
Madje, e përditshmja britanike “The Independent” raporton se reprezentuesi francez ka zgjedhur numrin e fanellës në Old Trafford.
Griezmann dëshiron ta veshë fanellën me numrin e famshëm 7.
Atletico Madrid, për momentin po përballet me bllokimin e merkatos nga ana e FIFA-s, me klubin madrilen që ka bërë apelim ndaj këtij dënimi. Nëse gjërat do të shkojnë mbarë në këtë çështje, atëherë Atletico Madrid mund të mendojë seriozisht për shitjen e Griezmann.
Nëse kjo do të ndodhë, atëherë “Los Colchoneros” do të hedhin sërish sytë nga Diego Costa për të zëvendësuar futbollistin e përfaqësueses franceze.