Gazeta greke “Kathemirini” ka zbardhur dëshmitë e grupit të arrestuar, si pjesë e një organizate ndërkombëtare, që trafikonte drogë nga Shqipëria në Greqi dhe në vendet e Evropës.
Sipas botimit në gazetë, ata të gjithë kanë mohuar akuzat dhe justifikuan lëvizjet e tyre se merreshin me tregti të produktesh bujqësore. Dhjetë të arrestuar kanë dalë para gjykatës dhe kanë mohuar trafikun e drogës, por thanë se merreshin me tregti të ligjshme mes Shqipërisë, Greqisë, Belgjikë sdhe vendeve të tjera.
59-vjeçari me inicialet Th. A, ose i njohur ndryshe si “Tom” u shpreh para hetueses se “qëllimi i tij ishte që të koordinonte importin e produkteve bujqësore dhe ushqimore nga Greqia dhe vendet e treta në Holandë.
56-vjeçari me inicialet M.S ka deklaruar se prej vitit 2014 shkonte në Holande dhe punonte në një fast-food . Tjetër qëndrim mbajti para hetueses 46-vjeçari J.A, i cili sipas dosjes hetimore, kishte detyrën e magazinimit të drogës në Greqi para se të shkonin në Europën Qendrore dhe Perëndimore.
Ai pranoi përfshirjen ne trafikun e 673 kg hashash përmes Zakinthos dhe tha emrat e 3 shqiptareve, me te cilët, siç u shpreh, kishte rënë dakord për transportin e drogës.
Ndërkohë 33-vjeçari K. P., i cili ishte shofer në disa raste transporti droge, tha: “Njoha me J. A., ka ndodhur para 5 vjetësh. Me ofroi të hapja kompaninë TSAF TRANS në Petrici të Bullgarisë. Në fillim kompania kishte veprimtari të ligjshme, ndërsa më vonë më kërkoi të transportoja hashash nga Shqipëria në Holandë”.