INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ish-polici i “Shqiponjave” 'koka' e grabitjeve seriale të kasafortave

Ish-polici i “Shqiponjave” 'koka' e grabitjeve seriale të kasafortave

Publikuar më: 17:05 19-06-2018
Engrit Hënaj, një ish-polic i “Shqiponjave” i arrestuar shtatorin e kaluar, sepse i jepte informacione një grupi kriminal,është bërë protagonist i grabitjeve seriale të kasafortave. Është autor i 20 grabitjeve me grupin kriminal prej 5 personash, ku ende shuma që ka qënë në kasaforta nuk është bërë e ditur, pasi po përllogariten vlerat monetare të deklaruara nga pronarët e bizneseve. Mekanizmi ishte tipiku i grupeve të dhunshme me grabitje makinash dhe më pas kasafortat. Të gjithë kanë qenë të dënuar më parë për grabitje. Pesë të arrestuarit, si pjesë e një grupi kriminal që grabiste kasafortat, akuzohen për të paktën 20 goditje në të gjithë vendin, ku 11 prej tyre u realizuan në Tiranë. Dyshimet e para flasin për miliona euro që ky grup arriti të grabiste në biznese të ndryshme, siç ishin supermarkete, dyqane, mobilieri, etj dhe që një pjesë e mirë e parave mendohet se i kanë shpenzuar në lojërat e fatit. Policia thotë se 5 grabitësit ishin përdorues të lëndëve narkotike dhe se u lokalizuan përmes qelizave të celularit, ndërsa po krahasohen kampionet biologjike që u gjetën në vendet ku ndodhën grabitjet. Gjatë marrjes në pyetje, 31-vjeçari Hënaj pranoi se merrte makina dhe ua jepte 4 të tjerëve, për të realizuar grabitjet, gjithmonë në orët e natës, ku lëviznin të armatosur. Një “Peugeot” që u sekuestrua nga policia, ishte njëra prej këtyre automjeteve, ndërsa një “Benz” dhe një “BMW”, gjithashtu të sekuestruara, rezultojnë të vjedhura. Valmend Pelivani, 27-vjeçari që u akuzua për një plagosje në Selitë, ngjarje kjo e ndodhur në shkurt, është një tjetër anëtar i bandës. Ai njihet si kundërshtar i Emiljano Shullazit, ndërsa pjestari i tretë në këtë grup kriminal ishte Elton Lika, 35 vjeç, i dënuar me 12 vite burg në vitin 2011 si anëtar i grupit “Hijet e natës”, të cilët gjithashtu grabisnin kasaforta dhe shpenzonin paratë në kazino. Ndërsa dy të arrestuarit e tjerë, Sajmir Kuci 35 vjeç dhe Donald Ahmetaj 28 vjeç, gjithashtu kanë qenë të dënuar për grabitje.
Article Logic
Execution time: 0.0038399696350098