Një masiv gurësh ka rënë në rrugë, në hyrje të qytetit të Shëngjinit, duke plagosur dy persona.
Ngjarja është shënuar në vendin e quajtur Knalla, në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure.
Mësohet se gurët kanë goditur një autobus i cili po transportonte punëtorë të fabrikës së peshkut.
Dhe siç duket nga fotot është dëmtuar pjesa e prapme e automjetit.
Mësohet se 21-vjeçarja e plagosur është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë, kurse e plagosura tjetër po merr ndihme mjekësore në Lezhë.
I pyetur nga mediat shoferi i autobuzit është shprehur se nuk kishte parë kurrë një rast të tillë duke paralajmëruar se edhe gurë të tjerë mund të bien.