INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Haki Çako u cakton detyrat drejtorëve e Policisë së Shtetit: Çështjet që do kemi prioritet

Haki Çako u cakton detyrat drejtorëve e Policisë së Shtetit: Çështjet që do kemi prioritet

Publikuar më: 09:40 01-09-2017

Drejtori i Policisë së Shtetit përcaktoi sot në një aktivitet prioritetet e policisë. Evidentim, kontroll dhe ndëshkim i të gjithë personave me precedentë kriminalë, me makina të blinduara e luksoze, që bëjnë rolin e të fortit në komunitet.

Disiplina në punë dhe integriteti i punonjësit të Policisë së Shtetit, shumë të rëndësishme për besimin në komunitet.

Takim i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako me Drejtorët Qendrorë dhe Vendorë të Policisë dhe me Drejtorët Rajonalë të Kufirit dhe Migracionit.

Mbrëmjen e djeshme Çako ka zhvilluar një takim pune me drejtorët qendrorë dhe vendorë, për t’u përcjellë detyrat e lëna nga Kryeministri, gjatë takimit të zhvilluar me Task – Forcën për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit e të trafikimit të lëndëve narkotike.

Çako ka vlerësuar gjithë strukturat e policisë në qendër e në qarqe, për punën e jashtëzakonshme të bërë deri tani, për përmbushjen e plotë të prioritetit kombëtar, dhe u kërkoi atyre që kjo punë të mos ndërpritet, por të vijohet me të njëtin intensitet dhe përkushtim, pavarësisht se tashmë ka edhe prioritete të tjera po kaq të rëndësishme sa ky që po përmbushet me sukses.
ÇAKO:

Detyra kryesore që ka Policia në këtë fazë është:

• Hetimi i veprimtarisë së grupeve kriminale që organizojnë kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

• Sekuestrimi i aseteve që ata kanë krijuar, si rezultat i kësaj veprimtarie kriminale, si pasuri të paluajtshme ndërtesa, toka, makina, hotele, motele, lokale, investime të ndryshme në shoqëri biznesi, etj.

Për të realizuar këtë detyrë, është e domosdoshme që:

Pranë çdo drejtorie Vendore të ngrihet dhe të funksionojë një Task – Forcë për të drejtuar operacionin për sekuestrimin e aseteve që rrjedhin nga veprimatria kriminale. Të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet dhe burimet legale, duke shkëmbyer informacion me doganat, QKR, Hipotekat, Aluiznin, si dhe duke marrë edhe informacione në rrugë inteligjente, kjo duke bashkëpunuar ngushtësisht me SHISH, dhe me partnerët për informacionet që ata disponojnë për individë a grupe kriminale që mund të ushtrojnë aktivitetin kriminal edhe në vendet e tyre. Njëkohësisht të bashkëpunohet ngushtësisht me Prokurorinë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit të Parave.

Së dyti: Në çdo qark të evidentohen, kontrollohen dhe të goditen të gjithë personat me precedentë kriminalë, elementët shqetësues të rendit dhe sigurisë publike, të cilët me veprimet e tyre cënojnë rendin publik, duke krijuar një impakt negativ në qarkullimin rrugor, mjediset publike, në shkolla e universitete.

• Të evidentohen dhe të ndëshkohen elementët të cilët ushtrojnë ndikim të paligjshëm tek zyrtarët dhe nëpunësit publikë.

• Kërkimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, të cilët i shmangen Policisë dhe drejtësisë.

Së treti: Dhuna në Familje, një vepër penale që tashmë po trajtohet me seriozitet nga ana e Policisë, por ju kërkoj që të rrisni akoma më shumë vëmëndjen në këtë drejtim, duke evidentuar çdo konflikt, çdo ringjallje të konflikteve të mëparshme, duke mbajtur nën vëzhgim personat që kanë tendencë kriminale në këtë drejtim. Pavarësisht punës dhe ngarkesës së jashtëzakonshme që kemi, ky është një tjetër prioritet që duhet të kontribuojmë akoma më shumë, jo vetëm në drejtim të evidentimit dhe ndëshkimit, por edhe në drejtim të sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit të shoqërisë.

Së katërti: Goditja e fenomenit të paligjshmërisë, si në ndërtimet pa leje, prerjen e paligjshme të pyjeve, shkatërrimin e pyjeve me zjarr, si dhe të vjedhjes së energjisë elektike.

Së fundi , por jo nga rëndësia, kam tre çështje që kërkojnë angazhimin maksimal tuajin për t’i realizuar:

Displina në punë
Integriteti i punonjësve të policisë
Identifikimi dhe goditja e të inkriminuarve brenda radhëve tona.

Që të treja këto janë kusht thelbësor për të fituar besimin dhe bashkëpunimin me komunitetin.

Është një barrikadë në mes, në njërën anë Policia në anën tjetër krimi. Secili nga ne duhet ta ketë të qartë cilin krah do mbajë, ose me Policinë ose me krimin. Me të dy krahët nuk do mundë dot më askush të vazhdojë më tej.

Në bashkëpunim me SH.Ç.B.A-në, SHISH-in, Prokurorinë, me agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe me ndihmën e vyer të partnerëve, edhe në Policinë e Shtetit do të ketë dhe do të ndodhë me patjetër “Vettingu”.

Ndaj secili prej jush të bëjë analizat e duhura, të identifikojë dhe ndëshkojë cilindo punonjës policie që nuk është në anën e ligjit, por bashkëpunon e ndihmon trafikantët .

Article Logic
Execution time: 0.0036540031433105