INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Halili-Muzaka debat për pagat /  Presidenti: Ti nuk je Maradona…

Halili-Muzaka debat për pagat / Presidenti: Ti nuk je Maradona…

Publikuar më: 10:46 09-01-2017

Te Tirana ka plasur çështja “Muzaka”. Mesfushori bardheblu e ka paditur klubin në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve, sepse kërkon pagesat e prapambetura. Presidenti Refik Halili ka sqaruar se gjithçka parashikohet në kontratë do të respektohet prej tij, por nuk mund ta paguajë lojtarin me 7 milionë lekë të vjetra në muaj pa luajtur fare. Të dy janë ballafaquar, njëri në studio dhe tjetri përmes linjës telefonike, në emisionin “Ora Skaner”, ku i ftuar ishte presidenti i Tiranës, Refik Halili. Gjergji Muzaka ka ndërhyrë përmes telefonit, duke dhënë versionin e tij për situatën:

“Unë kam paguar nga xhepi 30 mijë euro për t’u liruar nga Partizani, luajta një vit pa rrogë për Tiranën, ndërsa 20 mijë euro i pagoi presidenti Halili. Në këtë mënyrë u plotësuan 95 mijë euro, që kërkonte presidenti Xhani i Partizanit.” Në këtë moment të ballafaqimit ka replikuar Halili: “Ti nuk ishe Maradona, që të vleje 95 mijë euro, sepse 50 mijë euro ishte vlera e kartonit tënd”. Muzaka ka dhënë, gjithashtu, versionin e vet për rrogat: “Unë jam dëmtuar në ndeshje zyrtare, në fund të kampionatit. Ne kemi kontrata 10-mujore, pra nuk paguhemi për qershorin dhe korrikun.

Isha i gatshëm që në gusht, megjithatë, po e lëmë sikur nuk kam qenë i tillë. Nga shtatori stërvitesha me skuadrën dhe u aktivizova në tetor. Pra, më takojnë 7 milion lekë për muajt që kam qenë i gatshëm për të luajtur”. Halili e ka kundërshtuar aty për aty, duke i kujtuar kontratën. Mesfushori i ka kërkuar publikisht kreut të klubit bardheblu të tregojë diçka tjetër, atëherë: “Mirë, në rregull, por a më thua dot sa muaj kam pa u paguar? Po e them edhe njëherë, nuk ka hedhur në gjyq as Tiranën dhe as Halilin. Thjesht kam bërë kërkesë për pagat e pamarra në FSHF”.

 

Article Logic
Execution time: 0.003568172454834