INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Hapet ekspozita ‘‘Unë jam shqiptar”, Dorian Koçi tregon detajet... [FOTO]

Hapet ekspozita ‘‘Unë jam shqiptar”, Dorian Koçi tregon detajet... [FOTO]

Publikuar më: 17:00 20-12-2017

Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me ministrinë e Diasporës ka hapur ekspozitën “Unë jam shqiptar” me rastin e ditës ndërkombëtare të emigracionit. Kjo ekspozitë I dedikohet diasporës shqiptare. Ekspozita nisi me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, e më pas më shumë figura të shquara të historisë ndër vite.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtarë,Dorian Koçi, ka dhënë një intervistë ekskluzive për In Tv, ku ka shpjeguar me detaje gjithçka lidhur me këtë ekspozitë.

Për më shumë ndiqni intervistën e mëposhtme:

Çfarë përmban ekspozita “ Unë jam shqiptar” ?

Kjo është një ekspozitë që bëhet në bashkëpunim me ministrinë e Diasporës dhe Muzeut Historik Kombëtar. Ekspozita ka një këndvështrim kronologjik të gjithë ngjarjeve më të rëndësishme dhe emigracionit shqiptar ndër vite që ka krijuar edhe atë që quhet diaspora e cila shpesh herë na ka bërë krenar. Ekspozita ka filluar në mënyrë kronologjike me epokën e Skënderbeut, në momentin kur pas vdekjes së tij dhe rënies së Shkodrës dhe të Krujës, masa të mëdha Arbërish u zhvendosën ne Italinë e jugut, duke mos harruar edhe zhvendosjet e mëparshme të emigracionit të shqiptarëve drejt territoreve të Greqisë. Më tej ka një pasqyrim të jetës së kolonive shqiptare që kanë qenë në Kalabri dhe dy përfaqësues të shquar të kësaj kolonie që është Jeronin de Rada dhe Françesko Krispo që ishte kryeministri I parë I Italisë me origjinë arbëreshe. Ekspozita vazhdon më tej me pasqyrimin e kolonive më kryesore që kanë qenë të shqiptarëve në vendet përreth ku janë pasqyruar figurat më historike. Një pikë kryesore e ekspozitës është edhe fotografia e emigrantit të parë shqiptar që është Kol Kristofor që ishte nga rrethinat e Korçës. Gjithahtu ekspozita përmban tre foto të përfaqësuesve më të shquar të kolonive shqiptare siç janë Fan Noli, Faik Konica dhe Mihtat Frashëri. Më tej vazhdon me ngjarjet që sollën rrëzimin e diktaturës në Shqipëri si dhe ngjarjet e largimit të shqiptarëve në Greqi dhe Itali. Ekspozita vazhdon më tej me figurat më të shquara nga diaspora që shpesh na bëjnë krenarë me arritjet e tyre në të gjitha fushat.

Cili është qëllimi i kësaj ekspozite?

Qëllimi I kësaj ekspozite është të ndërgjegjësojë dhe informoje komunitetin për rëndësinë e Diasporës si dhe për të bërë të mundur që Diaspora të gjejë vetveten në rikthimin vlerave intelektuale dhe shpirtërore, për të mbajtur një urë komunikimi me vendet përkatëse në të cilat ata jetojnë.

Pse iu vendos emri “Unë jam shqiptar”?

Ky emër iu vendos pasi kjo është logoja që shumica e Diasporës shqiptare e përdorin kudo që janë dhe kanë arritur suksese të mëdhaja siç janë  Ermonela Jaho, Inva Mula, Shkëlzen Doli e shumë artistë të tjerë  e kanë thanë me shumë krenari “Unë jam shqiptar”.

A ka pasur interes nga vizitorët?

Po. Ekspozita ka pasur një interes të vazhdueshëm dhe do të qëndrojë e hapur për një kohë të gjatë. I ftoj të gjithë emigrantët që kanë ardhur për pushime të vijnë ta vizitojnë këtë ekspozitë.

  A është kjo hera e parë që hapet një ekspozitë e tillë apo është bërë edhe më parë?

Ekspozita për Diasporën mund të jenë organizuar prej kohësh, por një trajtim historik që nga momenti kur filloi Diaspora shqiptare deri më sot nuk ka pasur në dijeninë time.

Cili është mesazhi që do ju jepnit të rinjve?

Mesazhi që do u jepja të rinjve është që pa e njohur historinë e vendit tënd është e vështirë që të ndërtosh një të ardhme.

e3ebe556-d9f7-4ed4-8862-b30802fbe312.jpg6c2d8c94-6425-437f-b520-3b41e1e942db.jpgb7944621-f2df-4b5a-a230-6829c2be49be.jpgd7d5323c-c8d3-4154-b1ba-aa73d19cc747.jpg6cbe995f-2cce-42d2-a454-ad9c57612899.jpg

 

Article Logic
Execution time: 0.004249095916748