INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Hapet tregu i shpendëve në Baldushk, Veliaj: Blini gjela “firmato”

Hapet tregu i shpendëve në Baldushk, Veliaj: Blini gjela “firmato”

Publikuar më: 12:13 24-12-2017

Gjelat e detit nga zona e Baldushkut, e cila njihet për rritjen e tyre, janë kthyer në traditë për tavolinën e çdo qytetari të Tiranës në mbrëmjen e Krishtlindjeve dhe darkën e Vitit të Ri.

Për të tretin vit radhazi, tregu i posaçëm i shpendëve në Baldushk u jep mundësi qytetarëve të blejnë produkte të certifikuara nga shërbimi veteriner dhe me çmime më të lira.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u njoh me kushtet e tregtimit të shpendëve dhe theksoi se tashmë rritja e gjelit të detit është një “patentë” që identifikon zonën e Baldushkut. “E kemi kthyer në traditë për tre vite me radhë, që gjeli i detit të Baldushkut është i pazëvendësueshëm në tavolinën e çdo qytetari të Tiranës. Ashtu siç ka rroba firmato dhe makina me logo të shtrenjta, gjeli ‘firmato’ i Shqipërisë është gjeli i Baldushkut”, tha Veliaj.

Vetëm vitin e shkuar, në Tiranë u shitën rreth 28 mijë gjela deti, duke gjeneruar rreth 1.4 milionë dollarë. Ndaj, kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të konsumojnë produkte të zonës, sepse kështu kontribuojnë edhe në rritjen e ekonomisë lokale. “Nuk ka kuptim një tavolinë e festave nëse nuk ndihmojmë ekonominë lokale. Jo vetëm shija është më e mirë, jo vetëm çmimi është më i lirë, por ndihmojmë ekonominë vendase.

'Më mirë t’i mbajmë këto para, sepse kur dikush blen gjel nga Baldushku, nuk ka siguruar vetëm darkën e Vitit të Ri, por ka paguar që një fëmijë të shkojë në shkollë, të vishet, t’i blihen librat, dhe që një familje të jetojë me dinjitet këtu në fshat, pa u dyndur të gjithë në Tiranë”, theksoi ai.

Kreu i Bashkisë tha se tregu i ngritur në Baldushk është i certifikuar dhe funksionon me standardet e higjienës, duke u kthyer në furnizuesin kryesor të gjelit të detit për familjet e Tiranës në darkën e Krishtlindjeve dhe Vitit te Ri.

“I ftoj të gjithë qytetarët të mos blejnë në rrugë, janë mall që blihet në pulari dhe shitet sikur është mall fshati. Tregu i vërtetë, origjinal, i certifikuar nga veterinarët tanë, me fermerin që e ka rritur vetë, është këtu në Baldushk. Të gjithë në Tiranë t’i ofrojnë familjes së tyre shëndet, mall cilësor, një festë të gëzuar, por mbi të gjitha të ndihen mirë shpirtërisht se me ato para kanë ndihmuar ekonominë vendase”, tha Veliaj.

Ai vlerësoi se ngritja e një tregu të tillë jo vetëm që ka rritur sigurinë ushqimore për qytetarët e Tiranës, por njëkohësisht ka ndikuar pozitivisht edhe në ruajtjen e higjienës në rrugët e qytetit.

“Duke e blerë produktin aty ku rritet, jo vetëm sjellim cilësi të shëndetshme në tavolinë, por sigurisht mbajmë edhe Tiranën pastër. Ju kujtohet përpara dy viteve kur shitej gjeli dhe pula në rrugë? Tirana, jo vetëm ishte e pistë, por i kishte rënë vlera gjithë rrugëve ku bëhej kjo tregti. Sot, edhe Tirana është më e pastër, edhe Pazari i Ri është më dinjitoz, edhe ushqimi është bio dhe blihet këtu”, tha kryebashkiaku Veliaj.

 

 

Article Logic
Execution time: 0.0037569999694824