INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Haradinaj kundër kërkesës për bashkimin e Luginës me Kosovën

Haradinaj kundër kërkesës për bashkimin e Luginës me Kosovën

Publikuar më: 14:19 11-09-2018

Kryeministri Ramush Haradinaj thotë se përkrah shqiptarët e Luginës, por ka qëndrime të rezervuara kur bëhet fjalë për integritetin territorial të Kosovës. Lidhur me kërkesën e fundit të përfaqësuesve të Luginës për një rezolutë, ku përkrahet bashkimi me Kosovën, Haradinaj thotë se ka detyrë të zbatojë Kushtetutën. Haradinaj ka folur sot për kërkesën e përfaqësuesve politikë të Luginës së Preshevës, që të miratohet një rezolutë ku Kuvendi përkrah bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me Kosovën. Kryeministri thotë se përkrah shqiptarët e asaj treve, megjithatë nuk pajtohet me ndryshimin e kufijve të vendit.
“Unë para një kohe, kam pasë nderin me e kryesur qeverinë dhe që qeveria e vendit tim të ndajë një shumë të caktuar të parave për Parkun e Paqes në Preshevë, ne do ta mbajmë çdoherë vëmendjen dhe interesimin për shqiptarët që jeton në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Ndërsa për këto tema duhet përkujtuar që detyra ime është zbatimi i Kushtetutës dhe ajo na obligon edhe në territor, edhe në kufi edhe në integritet territorial dhe sovranitet. Unë shërbej në emër të qytetarëve dhe besoj jemi qeveria e parë që ka shkuar aq përpara me përkrahje, kemi komunikim shumë të mirë për mbijetesën e shqiptarëve në atë pjesë. Për të gjitha të tjerat unë kam qëndrim të rezervuar për shkak se jam kryetar i qeverisë dhe i obligohem Kushtetutës së vendit dhe integritetit territorial të kufijve. Ajo që vazhdoj ta them është se është eksperiment i rrezikshëm loja me kufij dhe territore. Jam kundër eksperimenteve dhe lus të gjithë që të kenë kujdes pasi duhet të jemi të vetëdijshëm se loja me kufij e dimë nga e kaluara se sa herë janë hapur nuk ka pasur garanci se kur mbyllen. Kosova nuk duhet pasur ndryshime territoresh e kufijsh”, ka deklaruar sot Haradinaj.
Ndërsa, menjëherë pasi përfaqësuesit e Preshevës nga Zyra e Presidentit Hashim Thaçi shpalosën kërkesën e tyre për rezolutë, kundër saj doli LDK-ja. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se me gjithë respektin për zyrtarët e Luginës, kjo kërkesë nga partia e tij cilësohet si antikushtetuese. Nga ana tjetër, kryeministri bën thirrje që të mos fokusohen në tema si ndarja e Kosovës dhe se tema më e rëndësishme për të është liberalizimi i vizave.

Article Logic
Execution time: 0.0022661685943604