INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Hareja e dashurisë – Dokumenti i Papa Françeskut rreth familjes. Flitet dhe për divorcin, respektin ndaj homoseksualëve dhe refugjatët!

Hareja e dashurisë – Dokumenti i Papa Françeskut rreth familjes. Flitet dhe për divorcin, respektin ndaj homoseksualëve dhe refugjatët!

Publikuar më: 15:33 08-04-2016

Dokumenti i shumëpritur, Hareja e Dashurisë (Amoris laetitia) rreth familjes e Papa Françeskut ka dalë në dritë. Ky është një dokument i rëndësishëm që paraqet linjat e angazhimit të Kishës për të promovuar e nxitur bukurinë dhe idealin e familjes të themeluar mbi martesën.

Në këtë material janë përfshirë dhe çështje të tjera të rëndësishme, si divorcet, respekti për çiftet homoseksuale,  rritja e edukimi i fëmijeve në këto situate, dramat e refugjatëve.
Ky dokument është paraqitur këtë të premtë në Romë, me kapituj të ndarë sipas temave.

Në kapitullin e parë flitet për fjalën e Zotit në familje dhe dramën e refugjatëve. Kapitulli i parë i dokumentit, kushtuar Fjalës së Zotit, vë në dukje bukurinë e çiftit të formuar nga burri e gruaja, pa harruar dramën e papunësisë dhe të shumë familjeve të refugjatëve, të refuzuara e të pambrojtura.

Kapitulli i dytë  - Realiteti dhe sfidat e familjes. Sprova e madhe e persekutimit!
Në këtë pjesë Papa kujton sfidat e shumta të familjeve, në ditët e sotme, mendësinë kundër lindjes së fëmijëve, emergjencën e strehimit, abuzimet me të miturit, në rastet kur ndodhin në familje, në shkolla e në institucione të krishtera. Ai shkruan për sprovën e madhe të persekutimit të të krishterëve, të shpërbërjes juridike të familjes, që synon barazimin e thjeshtëzuar me martesën, të bashkimit të dy gjinive ose të bashkimeve ndërmjet njerëzve me të njëjtin seks.

Në kapitullin e tretë lëshohet një thirrje për familjen dhe të drejtën e patjetërsueshme për jetën.
Në këtë këndvështrim, pazgjidhshmëria e martesës nuk duhet kuptuar si ndonjë “zgjedhë” e sakramenti nuk është rit i zbrazët, konvencion shoqëror, por dhuratë për shenjtërimin e shëlbimin e bashkëshortëve. Papa Françesku rithekson me forcë “vlerën e madhe të jetës njerëzore” dhe “të drejtën e patjetërsueshme për jetën e fëmijëve të palindur akoma”, duke veçuar detyrimin moral të veprimtarëve të krishterë të shëndetësisë për të mos kontribuar në aborte. Gjithashtu, Ati i Shenjtë vë në dukje se të gjithë kanë të drejtë të jetojnë deri në vdekjen e natyrshme, si edhe shprehet me vendosmëri kundër dënimit me vdekje.

Në një tjetër kapitull, Dashuria bëhet e frytshme. Çdo fëmijë ka të drejtë të ketë nënë e babe, ndalet në lindjen dhe mikpritjen e jetës brenda familjes. Papa nënvizon vlerën e embrionit “që nga çasti i ngjizjes”, sepse për Papa Françeskun, çdo fëmijë është gjithnjë në zemrën e Zotit. Ai shton fëmija nuk duhet parë si plotësues apo zgjidhje për aspiratat personale, por si një qenie njerëzore me vlerë të pamasë, të cilit i duhet respektuar dinjiteti, nevoja dhe e drejta e natyrshme për të pasur një nënë e një babë.
Ati i Shenjtë u shpreh dhe për çiftet, që s’mund të kenë fëmijë duke iu kujtuar se mund të jenë prindër në mënyra të ndryshme, për shembull, përmes birësimit. Papa bën thirrje të përmirësohen ligjet e procedurave adoptive dhe të kujdestarisë për fëmijët, gjithnjë në interes të të miturve, duke luftuar trafikun e paligjshëm.
Një kapitull të veçantë Papa ka shkruar dhe për homosekualët, me titull, Respekt për homoseksualët, por asnjë analogji ndërmjet martesës dhe bashkimit gay.
Ai shkruan se ata nuk duhet të diskriminohen padrejtësisht. Por, gjithësesi thotë Papa nuk ekziston asnjë bazë për të vendosur analogji as të largëta ndërmjet bashkimit homoseksual dhe martesës sipas planit të Zotit. E në këtë pikë, është “e papranueshme” që Kisha të vuajë nga “presione” të çdo lloji.

Article Logic
Execution time: 0.0040080547332764