INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Hashashi, Manjani i kundërpërgjigjet Kodhelit: Ta shfarosim para se trafikantët të blejnë politikën

Hashashi, Manjani i kundërpërgjigjet Kodhelit: Ta shfarosim para se trafikantët të blejnë politikën

Publikuar më: 12:30 23-10-2016

Hashashi është kthyer në temën kryesore dhe po merr vëmendje nga të gjithë.

Ministri i Drejtësisë,  Ylli Manjani reagon nëpërmjet një statusi në ‘facebook’ ku sipas tij ky është momenti i duhur për të shfarosur farën e hashashit dhe për të vënë në pranga trafikantët përpara se ata të kenë blerë politikën. Më parë ai deklaroi që në shfarosjen e këtij fenomeni të ndihmojë edhe ushtria, dhe më pas erdhi përgjigja e Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli e cila tha se propozimet duhet të jenë serioze dhe jo të bëhen batuta nga kolltuqet e rehatshme.

Ministri thekson edhe një herë se nuk ka ligj që mbron kultivuesit dhe trafikantët dhe bën me dije se në prill të këtij viti ka depozituar në qeveri projektin për ndryshime në Kodin Penal, propozim i cili u bë edhe nga ministri Tahiri vetëm pak ditë më parë.

STATUSI I PLOTË I MANJANIT:

Nuk ka gjë më serioze sesa të shërbesh në një detyrë publike! Të shërbesh si ministër është edhe më serioze! Kështu që diskutimi mbi seriozitetin e të qenit serioz është i pa vend.

E fundit gjë që kisha menduar dhe ende e mendoj është të bëj polemika publike me kolegët ministra. Qeveria është një institucion kushtetues i rëndësishëm që bazohet në ligjshmëri, kolegjialitet, përgjegjësi, solidaritet por edhe konfidencialitet!

Çështja e shkuljes së hashashit nga toka por edhe nga mendja jonë është sot më seriozja! As shoqëria, as ekonomia, as politika, as biznesi (rinia jo e e jo) nuk kanë hajër nga hashashi! Përhapja e këtij fenomeni është katastrofë për të gjithë ne! Prandaj e përsëris edhe njëherë atë që thashë të martën e shkuar: Nga ky fenomen duhet të ndahemi tani! Më vonë do jetë shumë vonë!

Tani është momenti për ti dhënë dërrmën kësaj të keqe që është ende në fazat e hershme të tij! Më vonë do jetë vonë sepse trafikantët do kenë “modernizuar” infrastrukturën; do kenë blerë politikën dhe do kenë ne dorë ligjin! Rinia e sotme nuk mund të rritet me trupin që i merr formën e karriges dhe me mendjen e trullosur nga tymi “dehës” i hashashit! E ardhmja jonë është më serioze sesa kaq!

Tani është momenti të shfarosim farën e hashashit sepse na duhet krahu i punës për ekonominë e ligjshme kombëtare! Ekonomia nuk zhvillohet dot nëse krahu i punës joshet të “dalë partizan” nga ekonomia rraskapitëse e hashashit!

Tani duhet të ndërhyjmë fort e me mend në kokë që të parandalojmë ngjarje kriminale që burojnë natyrshëm nga hashashizimi i shoqërisë! Duhet të ndalojmë farën e hashashit por edhe rekrutimin e “ushtarëve” që ruajnë parcelat e paligjshme dhe bosët e tyrë që kërcënojnë sigurinë tonë publike!

Të gjithë duhet të jemi pro shfarosjes së kësaj të keqe, më e madhja që kemi sot midis nesh! Të gjithë pa dallim: policë, ushtarë, politikanë e zyrtarë të gjithë pa dallim!

Kjo nuk është batutë, por realitet shumë serioz! Çështjet serioze kërkojnë reagime serioze! Dhe serioziteti nuk përcaktohet nga cilësia e kolltukut që i ofron detyra publike!

Nuk janë ligjet pengesa! Nuk ka ligj që mbron kultivuesin e as trafikantin! Ashtu sic nuk ka drejtësi të besueshme që merret me përdoruesin egërsisht dhe me trafikantin “miqësisht”!
Duhet ta ndreqim dhe ligjin, pa dyshim! Por ligji ndreqet shumë me mirë kur zbatohet mirë!

Nuk dua të hyj aspak në garën e propozimeve publike të projekt ligjeve, sepse unë nuk jam në garë me askënd për të bërë detyrën time! Por për kuriozitetin Tuaj që në prill të këtij viti kam depuzituar në qeveri projektin për ndryshime në Kodin Penal! Ky projekt është aty, në Qeveri, në pritje për miratim!

Edhe njeherë: o tani o kurrë më!

Article Logic
Execution time: 0.0036370754241943