INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Hidhen themelet për ndërtimin nga e para të shkollës “Kosova”, i shpëtoi kthimit në pallat

Hidhen themelet për ndërtimin nga e para të shkollës “Kosova”, i shpëtoi kthimit në pallat

Publikuar më: 12:35 16-08-2017

Një prej institucioneve simbol të arsimit në kryeqytet, shkolla “Kosova”, e cila u shkatërrua qëllimisht disa vite më parë, po rindërtohet për t’u rikthyer në vatër dije për fëmijët. Bashkia e Tiranës ka nisur punën për hapjen e themeleve të godinës, e cila do të jetë katër herë më e madhe se sa ish-ndërtesa e mëparshme që u dogj për t’u shndërruar në pallat. Në nisjen e punimeve mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se shkolla do të jetë gati pas një viti dhe u shpreh i kënaqur që Tiranës do t’i rikthehet një nga shkollat simbol, që para disa vitesh u synua të kthehej në pallat.

“Për të gjithë ata qytetarë që kanë jetuar në Tiranë, të paktën në dekadën e fundit, e dinë që kjo shkollë i ngjan një prej atyre legjendave shqiptare, si legjenda e Rozafës. Më në fund, sot jemi në një situatë ku po hedhim themelet e shkollës, të cilën do mund ta rihapim shtatorin tjetër, pas disa vitesh ndërprerje. Një projekt i cili ka kaq kohë që përgatitet, por më në fund, me ndihmën e qeverisë shqiptare për shpronësimet, pastrimin e territorit, kemi rifituar një hapësirë publike e cila në vitet e rrumpallës së Bashkisë së Tiranës u kthye në një hapësirë për të bërë pallat, si një hapësirë për përfitim personal dhe jo publik”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Si një ish-nxënës i kësaj shkolle, Veliaj shprehu kënaqësinë e dyfishtë se ky institucion arsimor do të rikthehet me një kapacitet 4 herë më të madh, por duke ruajtur të njëjtën cilësi siç edhe e ka pasur shkolla e mëparshme. “Siç është ajo shprehja, këpucën e tij këpucari e rregullon të fundit. Kjo është në fakt shkolla ime. Më vjen mirë që e fundit në serinë e parë të shkollave, të katër shkollave të reja, është shkolla “Kosova”, ndaj ndihem shumë i lumtur që për të gjithë ata si puna ime, që kanë nostalgjinë e të qenit fëmijë, e të rriturit, të formuarit në këtë hapësirë fantastike si shkolla “Kosova”, do e rikenë, por kësaj here katërfish më të madhe. Shkolla shkon nga një kat me qerpiç, ndërtuar vite më parë, në një katërkatësh me ashensor, me aksesueshmëri edhe për ata që janë me aftësi të kufizuar, me një auditorium 125 vende për të gjithë komunitetin, me një palestër moderne, me disa laboratorë. Do të ketë të njëjtin cilësi, siç ka qenë ndër vite reputacioni i shkollës ‘Kosova’”, shtoi Veliaj.

Ai tha se hapja e dyerve të kësaj shkolle vitin e ardhshëm do të ndihmojë që të ulet ngarkesa edhe në shkollat e tjera përreth që funksionojnë në këtë njësi. “Mezi pres që t’u lëmë hapësirë ndërtuesve, që këtë vit të punojnë me ritme të shpejta e ta përfundojnë para afatit, që shtatori tjetër jo vetëm të akomodojë këtu nxënësit e shkollës “Kosova”, por automatikisht të lirojë të gjithë trysninë që ushtrohet tek Liceu Artistik apo shkolla “Osman Myderizi” e “Mihal Grameno”, me nxënësit e shkollës “Kosova”, që janë shpërndarë në të gjithë këto territore”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj theksoi se me shkollën “Kosova” shkon në 4 numri i shkollave të reja që i shtohen Tiranës për të vazhduar më pas edhe me 16 shkolla të tjera të reja që do të ndërtohen në partneritet me privatin dhe që do t’i japin fund problemit të ngarkesave në klasa. “Këto katër shkolla të reja, “Hoxha Tahsin”, “Betim Muço”, “Ardian Klosi” dhe shkolla ”Kosova” janë vetëm paketa e parë e shkollave që po ndërtojmë, për të vijuar me 16 shkolla vitin tjetër dhe për t’u siguruar që brenda këtij mandati, një tjetër legjendë shqiptare, ajo e shkollave me dy turne, të jetë një fjalë e huaj për fjalorin tonë dhe të flasim për gjëra të tjera më të mira. Kur jemi të fokusuar tek puna, mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme, ndaj besoj që edhe në këtë gjysmë të dytë të mandatit, fokusi i Bashkisë së Tiranës do të jetë puna dhe jo llogjet, sepse besoj kjo është mënyra më e mirë për të ecur përpara”, u shpreh Veliaj.

Article Logic
Execution time: 0.0039479732513428