Gonzalo Higuain nuk e fsheh se ka zgjedhur Juventusin për një qëllim të vetëm, fitoren e Ligës së Kampioneve.
“A është ky viti i duhur për të fituar Ligën e Kampioneve që i iku Juves nga duart në vitin 2015? Shpresoj që po, kjo arsyeja pse erdha te Juvja”, shprehet Higuain në një intervistë të dhënë për UEFA-n.
“Të fitosh 6 tituj radhazi do të ishte një rekord, ashtu si edhe Kupa e Italisë e tretë radhazi. Natyrshëm që Liga e Kampioneve është një ëndërr që duam ta kthejmë në realitet. Por nuk duhet të harrojmë këto dy trofe të tjerë”, theksoi sulmuesi argjentinas.
Pengesa e Juventusit në çerekfinale është pretendentja kryesore për fitoren e trofeut, Barcelona, e cila vjen në këtë duel pas një përmbysjeje të çmendur ndaj PSG-së. “Futbolli ndryshon në një sekondë, dhe një skuadër që të gjithë e shihnin si të mbaruar, arriti në çerekfinale, do të kenë shumë besim në vetvete pas një kualifikimi të tillë”, deklaroi ai. “Barcelona kaloi një natë të errët në Paris por nuk besoj se mund të përjetojë një të dytë të tillë. Do të luajmë në fushën tonë takimin e parë ndaj duhet të mundohemi të shfrytëzojmë në maksimum faktorin fushë për të pasur një mundësi më shumë në Barcelonë. Nuk kemi luksin të heqim këmbën nga gazi as për një fraksion sekonde”, deklaroi Higuain.