INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Hillary Clinton: Trump po përpiqet ta veçojë Amerikën nga bota [VIDEO]

Publikuar më: 08:00 29-07-2016

Hillary Clinton pranoi të enjten emërimin si kandidate për presidente e Shteteve të Bashkuara, duke hyrë në histori si e para grua që merr emërimin nga një forcë kryesore politike në Shtetet e Bashkuara. Kuvendi i Demokratëve u mbyll mbrëmjen e së premtes në Filadelfia të Pensilvanisë, me fjalimin e kandidates për Presidente Hillary Clinton.

“Amerika është në një moment rivlerësimi. Forca të fuqishme po kërcënojnë të na përçajnë. Lidhjet e besimit dhe të respektit po dobësohen. Dhe ashtu si në kohën e atyre që e themeluan vendin, nuk ka garanci. Gjithçka varet nga ne. Duhet të vendosim nëse do të punojmë së bashku, që të ngrihemi së bashku”, tha ajo në fjalimin e saj.

“Misioni im kryesor si Presidente do të jetë të krijoj më shumë shanse dhe vende të mira pune me rroga në rritje këtu në Shtetet e Bashkuara. Që nga dita ime e parë në detyrë tek e fundit. Veçanërisht për zona që për një kohë të gjatë janë lënë pas dore. Që nga zonat e varfra të qytetit në qytetet e vogla”, tha ajo.

Ish-Sekretarja dhe përkrahësit e saj e kanë theksuar vazhdimisht aftësinë dhe përvojën e saj në sfida të sigurisë kombëtare. Vetë ish-Zonja e Parë ia kushtoi një pjesë të mirë fjalimit pikërisht kësaj fushe.

“Ne përballemi me një zgjedhje po aq të vështirë përsa i takon sigurisë kombëtare. Gjithkush që sheh lajmet nuk mund të mos shohë kërcënimet dhe turbullirat me të cilat përballemi. Nga Bagdadi në Kabul, në Nice dhe Paris dhe Bruksel, nga San Bernardino në Orlando, ne përballemi me armiq të betuar që duhet të munden. Prandaj nuk ka dyshim që njerëzit janë në ankth dhe në kërkim të një udhëheqjeje të qëndrueshme”, vijoi ajo.

Fjalimi i ish-Sekretares përbëri pikën kulmore të një Kuvendi që filloi nën hijen e bërjes publike të emaileve mes zyrtarëve të Partisë Demokrate, që tregonte se ata kishin favorizuar pikërisht atë në fushatën brenda partisë ndaj ish-rivalit të saj Bernie Sanders.

Gjatë kuvendit, synimi i demokratëve ishte që të bënin kontrastin mes republikanit Donald Trump dhe Hillary Clinton, duke i rënë faktit që ai nuk është i zoti të drejtojë një vend.

Toni i Kuvendit të Demokratyëve, si edhe atij republikan më parë sinjalizojnë se do të ketë një fushatë intensive dhe të ashpër për zgjedhjet e nëntorit.

Article Logic
Execution time: 0.0036470890045166