INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Histori e trishtë! I mituri 10 vjeç që u mbyt në Drin i rritur mes dhunës dhe varfërisë

Histori e trishtë! I mituri 10 vjeç që u mbyt në Drin i rritur mes dhunës dhe varfërisë

Publikuar më: 08:18 31-08-2016

I mituri nga fshati Mazhic i Bulqizës që u gjet paraditen e djeshme i mbytur në Drin ka një histori të rëndë famijare. Mësohet se ai jetonte më të atin dhe njerkën që sipas dëshmive të banorëve ata e keqtrajtonin. Në familje e 10 vjeçarit jetojnë edhe 7 motrat dhe vëllezërit e tij, dhe për këtë arsye familjarët e tjetër dhe banorët apelojnë se nëse shteti nuk do të ndërhyjë, rrezikojnë të kenë të njëjtin fat e fëmijët e tjerë.
Sipas Gazetës Shqiptare, pas lajmit të konfirmuar zyrtarisht edhe nga policia për mbytjen e 10-vjeçarit, “fshihet” një histori tejet e dhimbshme. Vetë të afërmit e të miturit dhe banorët e fshatit Mazhic, me rrëfimet e dëshmitë e tyre pohuan se babai i fëmijës që u mbyt në lumë është kafshë dhe jo njeri. Ata pohuan se djali i rritur pa nënë mund të mos jetë mbytur duke u larë në lumë, por mund t’i ketë dhënë fund jetës për shkak të traumës dhe depresionit. Se vetëm tri ditë para ngjarjes, ai ishte rrahur në mënyrë çnjerëzore nga i ati i tij, Shpëtim Xholeshi. Ky fakt është bërë me dije nga gjyshja 80-vjeçare e të miturit. Por, edhe nga njerka, e cila u shpreh se fëmijët e thjeshtrës i rrihte më pak se i ati i tyre.

Rrëfimi i gjyshes

Mëngjesin e së hënës, unë dhe nipi im 10 vjeç shkuam në pyll për dru. Morëm me vete edhe dy kuajt. Rreth orës 10:30 i thashë djalit të djalit të më sillte njërin nga kuajt për ta ngarkuar. Por, ai iku deri tek ura pa më thënë gjë se ku do të shkonte. E kërkova gjithandej, por nuk e gjeta. Mendova se mos ishte fshehur gjëkundi prej frike. U ktheva në shtëpi, ndërsa ai nuk u kthye. Të gjithë dolëm për ta kërkuar. Banorët e fshatit tonë dhe të Katundit të Ri (i përket rrethit të Dibrës) dolën një për një prej shtëpie dhe bashkë me ne kërkuan deri mëngjesin e sotëm (djeshëm). E gdhimë në bregun e lumit Drin, pasi aty gjetëm dy kuajt, të cilët i kishte marrë nipi”, thotë Hëne Xholeshi. Ndërkaq, e moshuara tregoi se djali i saj, Shpëtimi (babai i viktimës) ishte martuar dy herë dhe se me gruan e parë, të cilën e kishte ndarë, ka 4 fëmijë dhe po 4 fëmijë ka edhe me të dytën. Gjithashtu, 80-vjeçarja u shpreh se familja e saj prej 11 anëtarësh mbahej me pensionin e saj dhe pensionin e dy fëmijëve invalidë të të birit. E moshuara qante për humbjen e nipit, ndërsa krah saj dëneste mbesa e saj më e madhe, motra e 10-vjeçarit.

Dëshmia e njerkës
Njerka e 10- vjeçarit tha: “Unë jam nusja e dytë e Shpëtim Xholeshit, por ai plehra më bërtet edhe mua. Më thotë ik tek nëna jote. Më shan dhe rreh fëmijët. Me të kam 4 fëmijë. Ai na torturon mua dhe fëmijët”. E pyetur nëse i rrihte 4 fëmijët e tjerë që burri kishte me gruan e parë, ajo u shpreh: “Unë nuk i torturoj. Unë i dua, por ai (burri) i torturon më shumë. Kur i them unë mos i prek fëmijët, Shpëtimi më thotë: ‘Se nuk të pyes ty. Unë i mbaj me bukë. Ti nuk ke punë me fëmijët e mi’. Ai i rreh përditë fëmijët. Pi nëpër lokale dhe bëhet tapë. Para tri ditësh, erdhi vjehrra e më tha: ‘O nuse, yt shoq e mbyti djalin krejt. Ia ka shtypur kokën me këmbë dhe mezi ia kam nxjerrë nga duart'”.
Ndërsa, banorët e fshatit ku ndodhi ngjarja pohuan se 50- vjeçari Shpëtim Xholeshi është baba diktator dhe i pamëshirshëm, pasi në vijimësi ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike mbi fëmijët e tij, të cilët duhet të merren urgjentisht në mbrojtje nga shteti. Gjithashtu, banorët thanë se i kanë ndihmuar me bukë, vaj e sheqer dhe me çfarë kanë mundur familjen e varfër Xholeshi.

Article Logic
Execution time: 0.0037679672241211