INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Historia misterioze e zhdukjes së 28-vjeçarit. Ç'ndodhi me të humburin më të famshëm në YouTube[VIDEO]

Historia misterioze e zhdukjes së 28-vjeçarit. Ç'ndodhi me të humburin më të famshëm në YouTube[VIDEO]

Publikuar më: 13:13 11-05-2018


Një video prej 30 sekondash ka ngjallur dhjetëra teori konspiracionesh dhe ka ndryshuar përgjithmonë jetën e një familjeje. Në një moment Lars Mittank duket si një njeri i zakonshëm, i veshur me një T-shirt të verdhë që futet në aeroport me bagazhin e tij të udhëtimit. Por në momentin tjetër ai shihet teksa vrapon nga terminali, me sa duket i frikësuar për jetën e tij, kapërcen mbi një gardh të sigurisë dhe hyn në pyll. Çfarë ndodhi më pas është një mister që ende nuk është zbardhur edhe pse kanë kaluar katër vjet. Pamjet e marra në Aeroportin e Varna, në Bullgari, janë të fundit nga Lars. Pas kësaj askush nuk e ka parë ose nuk ka dëgjuar ndonjë gjë për 28-vjeçarin. Ai la pas një çantë shpine dhe valixhen ku mbante portofolin, pasaportën dhe telefonin e tij. Zhdukja e tij më 8 korrik 2014 është bërë një çështje shumë e diskutuar në internet dhe video ku shfaqet i riu për herë të fundit është shikuar më shumë se 16 milion herë. Teoritë ndërkombëtare për zhdukjen e Lars kanë bërë që interesi për çështjen të jetë i jashtëzakonshëm. Lars Mittank përshkruhet si "personi më i famshëm i zhdukur në YouTube". Historia e 28-vjeçarit nisi me një udhëtim që ai bashkë me shokët e tij ndërmorën nga shtëpia e tyre në Itzehoe, në veri të Gjermanisë, në vendpushimin bregdetar bullgar të Golden Sands. Pushimet e tyre duket se po shkonin mirë derisa Lars u plagos në një përleshje të regjistruar një natë vonë. Mbështetësi i ekipit të Werder Breman dyshohet se u grind me një grup tifozësh rivalë të Bayern Munich ndërkohë që  ishte ndarë nga pjesa tjetër e grupit, që shkoi për të konsumuar darkën në një restorant McDonald's. Lars u godit në kokë dhe përleshja e la atë me një daulle veshi të shpuar e ndoshta edhe me trauma. Atij ju përshkrua një antibiotik i quajtur Cefuroxime 500 dhe u detyrua të qëndronte pas kur miqtë e tij morën avionin për në shtëpi për shkak të ndryshimeve të presionit të ajrit në bordin e aeroplanit, pasi kishte dëmtuar veshin. Lars kontrolloi dhe gjeti një hotel të lirë, Hotel Color, pranë Aeroportit të Varna, pasi u përshëndet me miqtë. Shoku i tij i udhëtimit, Paul Rohmann më vonë do të thoshte për televizionin Gjerman se Lars ishte "i relaksuar" dhe në një "gjendje të mirë" kur ata e lanë. Megjithatë, gjithçka ndryshoi shumë shpejt.

Lars-Mittank_1.jpg28-vjeçari i bëri një telefonatë të tmerrshme nënës së tij nga dhoma e hotelit, i pushtuar nga paniku. Ai e urdhëroi atë të anulonte kartelat e tij bankare dhe i tregoi se po ndiqej nga katër njerëz, të cilët po përpiqeshin që ta vrisnin. Nëna e tij, Sandra Mittank tha për televizionin Gjerman: "Mendova, zot, djali im është në rrezik, unë mund ta dëgjoj zemrën e tij duke u përplasur në telefon, ndërsa thoshte se disa njerëz po përpiqeshin ta vidhnin ose ta vrisnin". Ai gjithashtu i dërgoi një mesazh mamasë së tij ku e pyeste për efektet e antibiotikëve që ishte marrë. CCTV shfaqi pamje ku ai duket duke ecur lart e poshtë në hyrje të hotelit, duke shikuar nga dritaret dhe duke u fshehur në një ashensor. Besohet se Lars u largua nga hoteli në orën 1 të natës para se të kthehej përsëri. Nuk dihet se ku shkoi gjatë kësaj kohe. Të nesërmen në mëngjes, frika e mamasë së tij u lehtësua kur ai i dërgoi mesazh duke i treguar se ishte nisur për në terminalin e aeroportit. Lars e kishte të nevojshme të kontrollohej nga një mjek i aeroportit, i cili thuhet se e përshkroi atë si "nervoz dhe të çrregullt", si dhe mosbesues ndaj ilaçeve që ai ishte marr. Mjekja, Dr. Kosta Kostov, është cituar duke thënë se Lars filloi të dridhej kur një punëtor ndërtimi hyri në dhomë dhe bërtiti: "Nuk dua të vdes këtu, duhet të dal nga këtu". Në këtë moment thuhet se Lars ja dha vrapit duke ikur nga aeroporti. Videoja e tregon atë në panik duke vrapuar për të dalë nga terminali.

Lars.png

Ai kaloi portat e kontrollit, tavolinat e check-in dhe zonat e bagazheve. Më pas del nga aeroporti duke vrapuar dhe duke kapëcyer edhe gardhin e jashtëm ndërsa zhduket në pyll, për të mos u parë më kurrë. Policia nuk paraqiti asgjë konkrete për këtë rast dhe një hetues privat i punësuar nga familja e tij nuk arriti të gjejë ndonjë gjurmë të Lars. Nuk është vërtetuar kurrë se çfarë e shtyu paranojën e tij, medikamentet, reagimi ndaj ilaçeve, dëmtimi në kokë gjatë përleshjes, gjendja jo e mirë e shëndetit mendor, apo u kërcënua vërtetë nga persona të panjohur. Një rreze shprese për familjen e Larsit erdhi në dhjetor të vitit 2016 kur policia në Brazil shpërndau një fotografi të një njeriu me mjekër, të zhveshur dhe të zbathur përgjatë një autostrade. Por ai u identifikua më vonë si një punëtor kanadez i zhdukur. Në korrik, bëhen katër vjet që kur Lars u zhduk. Fati i tij është i panjohur. Teoritë e fshehta të konspiracionit qarkullojnë në internet për atë që mund ti ketë ndodhur 28-vjeçarit në Bullgari, një vend me nivele të larta të trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar. Misteri që rrethon zhdukjen e Lars Mittank është bërë temë dikutimesh në rrjete sociale, hetuesit investigativ janë tërhequr nga kjo çështje gjithashtu, por askush nuk ka mundur ti afrohet të vërtetës duke e bërë të riun gjerman, personin më të famshëm të zhdukur në YouTube.

 

Article Logic
Execution time: 0.003777027130127