INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Historia prekëse e Marjana Kondit: Si e takova babain dhe familjen e tij pas 48 vjetësh

Historia prekëse e Marjana Kondit: Si e takova babain dhe familjen e tij pas 48 vjetësh

Publikuar më: 17:30 25-09-2017

Na ka mbajtur gjithmonë të mbërthyer pas ekranit me batutat e saj dhe gjithmonë ka reflektuar pozitivitet. Por jeta e saj nuk ka qenë “fushë me lule”. Bëhet fjalë për aktoren e njohur Marjana Kondi, e cila ka rrëfyer historinë e jetës së saj, e cila me siguri do të na shërbejë si shembull për motivim, pikërisht si ato që kemi lexuar nëpër libra. Marjana Kondi ka treguar për Living historinë prekëse të familjes së saj, një histori që se kemi dëgjuar më parë. Ajo është rritur pa të atin, e ka takuar atë pas 48 vitesh, duke mos pasur asnjë përfytyrim të pamjes së tij. Bashkë me të, takoi edhe motrën dhe vëllain tjetër, përveç Aleksandrit me të cilin është rritur. Si e ka përjetuar këtë bashkim aktorja dhe çfarë e ka mbajtur larg njerëzve të dashur për kaq shumë vite!

 “Kushtet e jetës askush s’i zgjedh. Unë nuk mund të gjykoja për rrethanat e marrëdhënieve të prindërve të mi, por për një gjë jam e sigurt, si kushdo tjetër, që ndjesia e babait nuk mund të shkëputet. Nga të gjitha këto rrethana, veçanërisht tani, kur kam arritur në moshë të pjekur, e dija dhe isha e ndërgjegjshme, se kam pasur një baba në pozita të mira shoqërore, me një profesion të rrallë e të admirueshëm, siç është ai i aviatorit dhe për këto ndihesha krenare.

Për një kohë të gjatë nuk kam pasur lidhje dhe kontakte as me të e as me familjen e tij, por e dija që ai kishte ndërtuar një familje të mirë dhe isha e sigurt që do të vinte dita kur do të mund të takohesha me motrën e vëllanë. Askush nuk më ka penguar për të bërë një takim edhe më parë, por ndonjëherë rrethanat e jetës nuk të vijnë ashtu si i do. Pasi u martova, në familjen time të re, gjeta babanë e bashkëshortit, që sillej me mua si një baba i vërtetë. Për fatin tim, edhe ai kishte një ndjenjë humori të hollë e të thellë, që i përshtatej karakterit tim dhe kjo më bënte të ndihesha shumë e afërt me të. Kur ai u largua nga kjo jetë, unë e humba këtë baba të dashur. Ndërkaq, me iniciativën e motrës e të vëllait nga babai, unë u takova me ta, në fillim me vëllanë e pastaj me motrën. Në mënyrë të natyrshme këto lidhje u forcuan dhe vazhdojnë të jenë shumë të mira edhe sot. Ata më thoshin shpesh që babai kishte shumë dëshirë të takohej me ne.

Takimi me babanë ishte mallëngjyes, emocionues, i shprehur më shumë nga ana e tij, për shkak të mallit e rrethanave të jetës së kaluar. Unë di t’i përmbaj emocionet edhe si pasojë e profesionit tim dhe i përjetimit të tyre në shumë role artistike që kam luajtur gjatë karrierës sime në filma të ndryshëm.

Angazhimi im në përgatitjen e filmit që u bë për të, ishte i asaj përmase, që atij i dha një kënaqësi të madhe. Kjo për mua ishte, përveç të tjerave, një detyrim që unë kisha ndaj tij, për t’i shprehur dashurinë dhe për t’i qëndruar pranë në këto kohë, kur ai ishte nga fundi i jetës së tij._ Marrëdhëniet e mia me motrën e vëllanë u forcuan edhe më shumë gjatë kësaj periudhe. Unë isha e kënaqur që ishim të gjithë së bashku për t’i dhënë babait kënaqësinë që të na shihte kështu të bashkuar, para se të ndahej nga kjo jetë. Këto lidhje vazhdojnë të jenë të tilla edhe tashmë që babai nuk është më. Nga mënyra se si përpiqej të komunikonte me mua, ditët e fundit, e ndieja amanetin e tij, që të vazhdonim të ishim pranë me njëri-tjetrin me dashuri e mirëkuptim të plotë. Unë kam qenë e jam pranë motrës e vëllait tim në të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur pas ndarjes nga jeta të babait.

Sa më shumë kalon koha, duke ndjekur nga afër rritjen e problematikat e fëmijëve tanë, aq më shumë ndiej, së bashku me përgjegjësitë e prindit, shqetësimet që kanë pasur prindërit tanë për ne. Në këto rrethana ndjenjat e respektit e të mirënjohjes shtohen po aq shumë sa shtohet përditë edhe ndjenja e mallit për prindërit, që aq shumë na mungojnë. Nga ana tjetër, këtë kohë që na ka mbetur, unë, motra dhe vëllezërit duam ta kalojmë mirë dhe ta shijojmë njëri-tjetrin”.

Article Logic
Execution time: 0.0038290023803711