Munguan në Europian, por do të mungojnë edhe në Botërorin e Rusisë. Holanda nuk ia ka dalë t’i shënojë 7 gola Suedisë në ndeshjen e fundit në grup dhe ka mbetur në vendin e tretë, jashtë Botërorit.
“Tulipanëve” u nevojitej një fitore e thellë 7-0 ndaj Suedisë për t’i marrë vendin e dytë në grup, por edhe pse fituan, mundën të shënonin vetëm 2 gola me autor Robben në pjesën e parë. Suedia do të jetë tashmë kombëtarja që do të marrë pjesën në fazën “play off” për të siguruar një biletë për në Rusi 2018.
Greqia ka arritur të sigurojë “play-off”-in në Grupin H, pas fitores 4-0 me Gjibraltarin. Edhe pse Bosnja fitoi me shifrat 1-2 ndaj Estonisë, kjo fitore nuk i shërbeu që të kalonte helenët në klasifikim. Belgjika që e kishte siguruar vendin e parë, mundi bindshëm 4-0 Qipron.
Franca ka ruajtur vendin e parë në Grupin A, falë fitores 2-1 ndaj Bjellorusisë, ndërsa Holanda fitoi 2-0 ndaj Suedisë, por jo me 7 gola diferencë, aq sa i duhej.
Në këtë mënyrë Suedia është ajo që kalon në fazën “play-off”. Ndeshja e fundit mes Luksemburgut dhe Bullgarisë u mbyll në barazim 1-1.
Portugalia fitoi 2-0 sfidën më të rëndësishme të këtyre eliminatoreve ndaj Zvicrës, dhe i mori vendin e parë me anë të golavarazhit më të mirë.
Dy ndeshjet e tjera të Grupit B, u mbyllën me fitoren e Letonisë 4-0 ndaj Andorës, dhe fitoren e Hungarisë 1-0 ndaj Ishujve Faroe.